Pogradeci konsiderohet sot një nga qytetet turistike që është zhvilluar në mënyrë të natyrshme, duke ruajtur identitetin dhe ritmin e vet urban.
Sipas ekspertit të planifikimit Saimir Mristo , një nga pikat më të forta të qytetit është fakti që turistët rikthehen çdo vit, të tërhequr nga eksperiencat e reja dhe aktivitetet që ofron territori.
Por ndërsa turizmi rritet, rriten edhe shqetësimet për mënyrën se si po zhvillohet qyteti. Kristo paralajmëron se presioni i ndërtimeve private, veçanërisht në qendër, mund të rrezikojë siluetën urbane dhe karakterin që e bën Pogradecin të veçantë.
“Ajo çfarë ka Pogradeci pikën më të fortë dhe nuk duhet ta humbasë, duhet të luftojë me esencë më të fortë dhe që e ka në fakt, me idenë që turisti të rikthehet, është nga ato pak territore në të cilin turisti kthehet në një pikë të caktuar të vitit. Rikthehen për të parë eksperiencat e reja, falë edhe kalendarit që keni si qytet, por edhe falë gjërave të reja që i zbuloni turistit në territor. Janë edhe sfidat që ka qyteti për presionet e zhvillimit privat për të ndërtuar në qendër të qytetit, nisma që mund të shkatërroni siluetin urban që ka ky qytet, nga ana tjetër edhe rezistenca që kanë vetë instancat për të krijuar zhvillim, por jo një zhvillim që prish bukurinë”.
Në këtë kuadër Kristo me studentë të arkitekturës dhe ekspertë të fushës pritet që në Pogradec të zhvillojnë edhe një seri laboratorësh studimi, të cilët do të analizojnë territorin dhe do të propozojnë ide të reja për planifikimin urban, restaurimin dhe rivitalizimin e trashëgimisë kulturore.
“Së shpejti vijmë me më shumë studentë dhe kolegë të cilët do investigojnë territorin në shumë nivele dhe do kemi një qasje jo vetëm disiplinore por edhe ndër shtresëzore për të propozuar ide të reja, për të energjizuar komunitetin por edhe për të ndihmuar bashkinë mbi projekte teknike të planifikimit hapsinor që ka nevojë. Është një seri laboratoresh në nivel projektimi arkitektonik, urban dhe nivel të rivitalizimit të trashëgimisë kulturore dhe restaurimit të saj”.
Nisma synon të ofrojë projekte konkrete për zhvillimin e urban por edhe të hapë një debat më të gjerë për mënyrën se si duhet të ndërtohet e ardhmja e Pogradecit mes zhvillimit masiv dhe ruajtjes së identitetit të tij.


