Fermerët e fushës së Maliqit po përballen me vështirësi të mëdha në tregtimin e prodhimeve bujqësore. Qindra kuintalë grurë dhe sasi të konsiderueshme qepe vijojnë të mbeten të magazinuara, ndërsa çmimet e ulëta dhe mungesa e kërkesës po i detyrojnë fermerët të përballen me humbje të konsiderueshme ekonomike.
Një prej tyre është Besnik Dervishaj, i cili prej vitesh merret me kultivimin e qepës. Ai tregon se dy vitet e fundit kanë qenë të vështira financiarisht, ndërsa pavarësisht investimit dhe punës, shitja e prodhimit mbetet një problem i pazgjidhur.
Sipas tij, familja ka reduktuar sipërfaqet e mbjella, pasi kostot e prodhimit dhe pasiguria për shitjen nuk i lejojnë të vijojnë me të njëjtat ritme si më parë.
Problematika nuk kufizohet vetëm te qepa. Edhe gruri i sezonit të kaluar vijon të qëndrojë në magazina. Përgjegjësi i Sektorit të Bujqësisë në Bashkinë Maliq, Aurel Zenunllari, bën me dije se shkaku kryesor është çmimi i ulët i ofruar nga tregtarët, i cili nuk mbulon kostot e prodhimit. Për këtë arsye, fermerët hezitojnë ta shesin prodhimin, duke preferuar ta mbajnë të magazinuar.
Sipas të dhënave të Sektorit të Bujqësisë, gjatë vitit të kaluar në fushën e Maliqit u kultivuan rreth 3 700 hektarë grurë dhe 700 hektarë qepë. Problematika e shitjes së grurit është më e theksuar në zonat e Sheqerasit, Ormanit dhe Drithasit.
Mungesa e tregut dhe çmimet që nuk justifikojnë kostot e prodhimit po vënë në pikëpyetje vijimësinë e këtyre kulturave bujqësore, duke shtuar pasigurinë për fermerët e zonës.


