Më 6 janar, fshati Polenë në Bashkinë e Korçës mirëpret një nga festat më të veçanta të zonës: karnavalet tradicionale të njohura si “Arapët e Polenës”, një ngjarje që ruan dhe përcjell zakone të lashta me rrënjë të thella historike.
Banorët e Polenës, të njohur për ruajtjen me fanatizëm të traditave, vishen me kostume të përgatitura nga lëkura kafshësh dhe interpretojnë rituale sipas fabulave të trashëguara brez pas brezi. Kjo traditë unike, e ngjashme me rituale pagane që gjenden edhe në vende të tjera të Ballkanit, simbolizon largimin e së keqes dhe pastrimin shpirtëror për vitin e ri.
Edhe pse e ndaluar gjatë periudhës së sistemit komunist, kjo festë u ringjall në vitin 1991 dhe prej atëherë organizohet çdo vit. Sot, janë kryesisht të rinjtë ata që po e mbajnë gjallë këtë traditë mbi 300-vjeçare.
“Të rinjtë e duan këtë festë dhe do të vazhdojë edhe për shumë vite,” – shprehet një prej pjesëmarrësve 14-vjeçar, i cili për të pestin vit radhazi merr pjesë në karnavale.
Një tjetër i ri thotë:
“Karnavalja është festë pagane që simbolizon largimin e së keqes. Është viti i pestë që marr pjesë dhe këtë vit jam veshur si shtrigë.”
Organizatori i karnavaleve, Gjergji Minka, tregon se tradita vazhdon të jetë e gjallë falë përkushtimit të banorëve, por pa asnjë mbështetje institucionale.
“Këto karnavale i kemi gjetur të trashëguara. Ka fotografi që nga viti 1986. Brez pas brezi, të moshuarit tregojnë se kështu janë zhvilluar gjithmonë. Sivjet është viti i 36-të që organizohen pas ’91-shit. Fatkeqësisht, nuk kemi asnjë mbështetje nga Bashkia e Korçës. Çdo gjë e realizojmë me forcat tona,” – shprehet Minka.
Me veshje të frikshme, maska dhe një çorape të mbushur me hi, të rinjtë dalin në rrugët e fshatit dhe “gjuajnë” kalimtarët, një ritual simbolik i Arapëve të Polenës që synon largimin e energjive negative.
Një traditë me vlera të rralla kulturore, e cila sot mbahet gjallë vetëm nga banorët e fshatit, ndërsa mungesa e mbështetjes nga institucionet shtetërore rrezikon vazhdimësinë e saj.


