Në një shoqëri ku shpesh të rinjtë largohen nga vendi në kërkim të mundësive më të mira, ka ende histori që frymëzojnë, histori të të rinjve që vendosin të qëndrojnë dhe të ndërtojnë një të ardhme duke i shërbyer njerëzve dhe komunitetit të tyre.
Një prej tyre është Gerald Gorari, 30 vjeçari nga Korça, i cili ka zgjedhur të ndërtojë jetën e tij profesionale në fushën e fizioterapisë, një profesion që kërkon jo vetëm dije, por edhe përkushtim, durim dhe shumë empati.
Një traumë e hershme në fëmijëri, kur ai vetë kishte nevojë për ndërhyrjen e një fizioterapisti për të rehabilituar krahun, u bë momenti kyç që la gjurmë të thella në mendjen e tij.
Ai tregon se si dashuria për sportin, mbështetja e familjes dhe natyra e tij sociale dhe empatike e shtynë të ndjekë këtë degë, me bindjen e fortë se fizioterapisti nuk është thjesht një profesionist, por shpesh një mbështetje emocionale dhe fizike për njerëzit në momente të vështira.
“Pikënisja është tek një traumë që kam pësuar kur kam qenë shumë i vogël dhe nevoja për ta rehabilituar këtë traumë ka qenë e vështirë. Jam detyruar që familjarët e mi të gjejnë një fizioterapist kudo që të ishte. Duke qenë se ai si specialist ma rehabilitoi krahun, kjo ishte pikënisja kryesore për të ndjekur degën e fizioterapisë. Më pas, gjatë kohës së gjimnazit, më pëlqente të merresha me sporte të ndryshme dhe fizioterapisti ka qenë shumë i rëndësishëm në pjesën sportive por në vitin 2003 kur kam qenë fëmijë deri në vitin 2010, nuk është se fizioterapia ka patur një zhvillim të madh në Shqipëri. Duke parë nevojën e tregut që ka patur shumë nevojë për fizioterapist, ka qenë një zgjedhje personale. Gjithashtu, kam biseduar dhe me familjen time që unë të zgjidhja këtë degë, pra motivimi im ka qenë të jem sa më afër njerëzve të cilët kanë nevojë duke qenë se jam dhe pak natyrë empatike dhe shumë social. Kjo ka qenë pak a shumë pjesa motivuese e këtij profesioni që kam zgjedhur.”
Por sfidat nuk përfunduan me zgjedhjen e profesionit. Për Geraldin, vështirësitë reale nisën sapo hodhi hapin e parë drejt universitetit.
Largimi nga qyteti i tij i lindjes drejt kryeqytetit nuk ishte i lehtë. Ai e kujton si një periudhë përballjeje me shumë të panjohura, ku jo vetëm ritmi i jetës, por edhe kërkesat akademike ishin një sfidë më vete.
Pas përfundimit të studimeve, Geraldi vuri re se klinikat private ishin të pakta, ndërsa punësimi në sistemin shtetëror ishte thuajse i pamundur. Pavarësisht kësaj, ai nuk hoqi dorë dhe vendosi të ndërtojë hap pas hapi një emër profesional, duke parë çdo situatë si mundësi për të mësuar, për t’u përmirësuar dhe për të ndërtuar besim.
“Që në universitet ka qenë e vështirë, duke qenë se po largohesha nga qyteti im Korça, një qytet i vogël ku jeta është më e ngadaltë se Tirana, që atje kanë filluar vështirësitë e para të një studenti të fizioterapisë. Literaturat nuk kanë qenë aq të mira sa janë tani dhe ne detyroheshim herë pas here që bashkë me profesorët të lexonim sa më shumë libra e të bënim sa më shumë kërkime shkencore, me punime që të ishim sa më të update-uar. Mungesa e tregut, duke qenë se nuk kishte shumë klinika, kur unë kam mbaruar studimet punësimi në spitalet shtetërore dhe qendra shëndetësore ishte pothuajse i pamundur, ka qenë shumë e vështirë, thuajse zero.”
Pas përballjes me mungesën e mundësive në tregun e punës dhe dëshirës së fortë për të ushtruar profesionin që kishte zgjedhur me kaq përkushtim, Geraldi vendosi të ndërmarrë një hap të guximshëm, të krijojë diçka të vetën.
Me ndihmën dhe udhëzimet e profesorëve të tij, ai hapi një klinikë të vogël, një hapësirë modeste, por me shumë dëshirë për t’i shërbyer pacientëve si profesionist.
Megjithatë, fillimi nuk ishte aspak i lehtë. Ai kuptoi se qyteti i tij kishte një nevojë të madhe për profesionistë të fushës së fizioterapisë. Numri i pacientëve filloi të rritej ndjeshëm dhe shumë prej tyre e gjenin te Geraldi jo vetëm ndihmën fizike, por edhe një qasje njerëzore e profesionale që shpesh mungonte.
“Si pasojë e nevojës më lindi ideja për të hapur një klinikë fizioterapie dhe këtu motivuesit e mi kanë qenë profesorët e mi, familja dhe bashkëshortja ime, pra gjithë njerëzit e mi të afërt me kanë motivuar duke parë edhe pasionin tim për fizioterapinë. Dhe kështu filloi. Duke u konsultuar me profesorët e mi për të cilët dua të shpreh mirënjohjen, hapa një klinikë të vogël në të cilën kur ka ardhur pacienti i parë, ka qenë shumë e sikletshme. Për të gjithë pacientët e parë kam qenë duke u konsultuar me profesorët e mi, pavarësisht se i kisha ndjekur pas shkollimit shumë trajnime ku e ndjeja që kisha aftësi për të trajtuar pacientë. Por, konsultat në telefon me profesorët më kanë shprehur besimin që të vazhdoja. Pas rikthimit në Korçë vura re që kisha një numër të lartë pacientësh dhe nevoja për të qenë një fizioterapist profesionist në këtë qytet, ishte mëse e dukshme.”
Pas dy vitesh përvoje intensive me klinikën e parë, ai kuptoi se nevoja e qytetit të Korçës nuk kufizohej vetëm te fizioterapia.
Kjo e shtyu të ndërmerrte një tjetër hap të rëndësishëm në rrugën e tij profesionale, themelimin e “Klinikës Intermedical”, një qendër më e madhe dhe më e kompletuar, ku shërbimet shëndetësore i kalonin kufijtë e fizioterapisë. Bashkëpunimi me mjekë të huaj i dha një tjetër dimension punës së tij.
“Pas 2 vitesh duke qenë se njerëzit kishin nevojë për specialistë të ndryshëm, jo vetëm për fizioterapist në qytetin e Korçës, më detyroi që unë të hapja edhe Klinikën Intermedical, ku ndodhemi tani, e cila është në bashkëpunim me një klinikë laboratorike shumë të madhe dhe me disa spitale private në Turqi. Kjo bëri që unë të sjell disa mjekë specialistë ku kryesisht unë isha i fokusuar në ortopedi, neurologji dhe neurokirurgji, sepse fizioterapia është një degë që lidhet shumë me pjesën muskulo-skeletale dhe atë neurologjike. Prej këtij momenti, kur filluam edhe vizitat me mjekët e huaj, pata një eksperiencë shumë të madhe edhe në mënyrën e diagnostikimit të pacientit dhe ndihem me fat që e kam arritur këtë gjë, pasi kolegët e mi apo studentët e tjerë të asaj periudhe e kanë shumë të vështirë të jenë pranë një specialisti të ortopedisë ose neurologjisë për të mësuar. Kjo më bëri që t’i shikoja të gjithë pacientët me një sy ndryshe, jo si në kohën e studimeve apo të fillimeve të karrierës. Realiteti i një studenti është shumë ndryshe për atë që ka përfituar nga shkolla krahasuar me atë që shikon nga afër me pacientët.”
Me kalimin e viteve, Geraldi ka trajtuar qindra pacientë, secili me historinë, sfidat dhe nevojat e veta. Ai është nga ata profesionistë që nuk i sheh pacientët thjesht si raste klinike, por si individë me histori njerëzore që kërkojnë jo vetëm trajtim fizik, por edhe mbështetje morale.
Geraldi e pranon se ka pasur raste që e kanë prekur thellë dhe i kanë mbetur në mendje edhe pas përfundimit të trajtimit. Për të, çdo pacient është po aq i rëndësishëm sa tjetri.
“Rastet janë të shumta, nuk dua të veçoj anjërën prej tyre, sepse çdo rast ka të veçantën e tij. Duke qenë se një fizioterapist duhet të ketë aftësi shumë të larta profesionale, duhet të ketë edhe cilësitë e një njeriu shumë të mirë, duke krijuar besueshmëri dhe të motivojë pacientin, e sigurisht t’i japë atë çfarë që kërkon në fund të trajtimit.
Megjithatë ka raste që ngelen në mendjen e një fizioterapisti, në një periudhë 7 vjeçare, ku kryesisht rastet më të vështira janë ato neurologjike, që kërkojnë kohë, dhe presioni i familjarëve është shumë i madh. Në këro rastë duhet të japësh maksimumin tënd, ashtu si tek gjithë pacientët, por rastet neurologjike janë më të vështirat për t’u trajtuar.”
Përtej trajtimit të pacientëve dhe drejtimit të një qendre moderne shëndetësore, Gerald Gorari është një zë i qartë dhe i fortë për ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e jetesës së shëndetshme.
Ai beson se shumë nga problemet shëndetësore mund të parandalohen nëse njerëzit do të ishin më të vëmendshëm ndaj trupit të tyre dhe mënyrës së jetesës. Sipas tij, mirëqenia fizike dhe ajo mendore janë të lidhura ngushtë.
“Njerëzit duhet të rritin cilësinë e jetës së tyre dhe si fillim mos neglizhojnë asnjë dhimbje. Dhimbja është një sinjal që diçka nuk shkon në trup dhe duhet t’i drejtohen një profesionisti mjekësor. E dyta mirëqenia mendore duhet të jetë shumë e mirë duke lexuar dhe duke bërë aktivitet fizik. Aktiviteti fizik ka realisht rëndësi shumë të madhe, gjë që të gjithë njerëzit duhet ta kenë në fokus. Duhet që të paktën tre herë në javë të kryejnë një aktivitet sportiv ndryshe, si volejboll, basketboll, tenis apo pasionet e tyre. Gjithashtu kemi edhe mënyrën e të ushqyerit, ku duhet të shmangim sa më shumë karbohidratet dhe sheqernat, për të ruajtur nje peshë sa më të mirë trupore. Edhe puna është diçka shumë e rëndësishme. Nëse unë kam një ditë pushim, mezi e pres atë, por motivimi që më japin pacientët e mi më bën që mezi pres të rikthehem në punë.”
Sot, Gerald Gorari nuk është thjesht një fizioterapist i suksesshëm por një shembull i një njeriu që e ktheu një përvojë personale sfiduese në një mision jetësor për të ndihmuar të tjerët.
Me pasion, përkushtim dhe një vizion të qartë për zhvillimin e shërbimeve shëndetësore në qytetin e tij, Geraldi arriti të krijojë një model që tejkalon pritshmëritë, duke sjellë një frymë të re jo vetëm në fizioterapi, por në gjithë kujdesin mjekësor në Korçë.