Korça po përjeton sërish emocione të mëdha futbolli, me Skënderbeun që po rikthehet gradualisht në qendër të vëmendjes. Fitorja e fundit ndaj Egnatias ka shtuar entuziazmin në kampin bardhekuq dhe ka rikthyer besimin për një sezon ambicioz.
Juli, 2 fitore radhazi, 6 ndeshje pa pësuar humbje. Është ky maksimumi i Skënderbeut?
Jo, nuk është maksimumi i Skënderbeut. Po bën një cikël për të ngritur ekipin në nivele të larta. Kemi patur një rrugëtim të mirë, por jo që ka ngecur loja. Nuk kemi arritur asgjë, në futboll duhet shikuar përpara.
Në dy sfidat e fundit, i keni marrë 6 pikë 2 rivalëve kryesorë për titull, Dinamos dhe Egnatia-s. Pyetja që shtron sot çdo tifoz në Korçë: A mund të rivalizojë Skënderbeu me ekipet “big”?
Objektivi real është ndeshja e radhës dhe mund të them që duhet të përgatisim secilën ndeshje me radhë. Synimi janë 3 pikët e radhës, duhet të jemi të gjithë të bashkuar për të arritur synimet.
Nga vendi i tretë që jeni ju, deri në vendin e 7-të Vllaznia, diferenca mes 5 ekipeve është vetëm 2 pikë. Si e shihni konkurrencën këtë sezon?
Superiorja është kampionat i fortë, diferencat nuk kanë qënë të mëdha. Në këtë kampionat, duhet të jesh vigjilent. Nëse ul marshin, gjërat bëhen të vështira.
A ka impakt ndryshimi i skemës në këtë garë këtë sezon. Për ty personalisht, dhe për Skënderbeun. Çfarë impakti ka skema e re?
Nuk e kemi vlerësuar kaq shumë ndryshimin e skemës. Kampionati, ka po ata rival, në çfarë do skeme të kesh. Nuk ka impakt të madh. Ata që e kanë menduar, e kanë menduar më së miri nga të gjithë.
Një detaj jo pozitiv, të paktën ky është perceptimi ynë. Nuk shohim shumë tifozë në stadium. Ju shqetëson si staf, e shqetëson ky detaj klubit. Keni një thirrje për tifozët?
Tifozët nuk gjykohen dhe nuk mund t’i fajësosh. Përformancat e ekipeve i sjellin në stadium. Në mungesë të titullit, ka një rënie të tifozëve. Kjo ka bërë që pritshmëritë të rriten në maksimum.
Juli, neve si staf i sportit në “News24”, gjatë Botërorit, na bëri përshtypje një detaj. Ishit non-stop në komunikim me drejtuesit e Skënderbeut për të ndërtuar ekipin. A jeni i kënaqur nga merkato. T’u plotësuar dëshirat?
Në asnjë moment nuk mund të them se isha 100% i kënaqur. Ka gjithmonë firo, jemi në masën 90% të plotësuar. Duhet të përmirësohemi dhe të jemi të kujdesshëm.
Merkato e dimrit nuk është larg. Ku do të ndërhyjë Skënderbeu? Për çfarë keni më shumë nevojë?
Kemi lojtarë në skuadër që presin momentin e tyre për t’u aktivizuar. Kampionati është i gjatë dhe do ketë edhe ndryshime, mungesa, patjetër. Kemi goxha kampionat dhe patjetër që të gjithë do kenë mundësinë për t’u shprehur.
Lajmi i fundit ka të bëjë me ndryshim e axhendës të sfidës Tirana-Skënderbeu. Afrohet me një ditë për shkak të protestave, do të luhet me 27 nëntor. E para, ju prish punë dhe e dyta, çfarë pret nga kjo sfidë?
Nuk mendoj. Edhe në javën e kaluar, spostuam ndeshjen tonë një ditë përpara, edhe pse kishim luajtur në Kupë 120 minuta. Ishim Fair Play. Nuk besoj se na penalizon. Na mungon një ditë për përgatitjen e ndeshjes.


