Korçë – 55 vite histori, mijëra studentë dhe breza të tërë profesionistësh. Universiteti “Fan S. Noli” i Korçës festoi 55-vjetorin e krijimit, duke sjellë në vëmendje edhe disa prej ish-studentëve të tij që sot kanë ndërtuar karrierën e tyre jashtë Shqipërisë.
Nga auditorët e universitetit të Korçës, rrugët e tyre profesionale janë shtrirë nga Kanadaja e Franca, deri në institucione ndërkombëtare dhe sipërmarrje të suksesshme.
Mes emrave të evidentuar është Ornela Shano, e cila sot ushtron profesionin në fushën e financës në Kanada.
Një tjetër histori suksesi është ajo e Vasjana Spahos, ish-studente e Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Shkencave Humane. Vasjana rezulton ndër studentet e shkëlqyera të Universitetit “Fan S. Noli” në programin Matematikë-Informatikë dhe sot jeton e punon në Paris.
Në listën e emrave të spikatur është edhe Florant Metko, i cili aktualisht mban një pozicion në fushën e sigurisë në NATO, duke përfaqësuar një tjetër shembull të rrugëtimit profesional që ka nisur në Korçë.
Ndërsa Rezarta Çeçi, e diplomuar në Universitetin “Fan S. Noli”, ka zgjedhur sipërmarrjen. Sot ajo është në drejtimin e biznesit familjar Kantina Çeçi, duke vijuar një histori suksesi të lidhur me prodhimin dhe zhvillimin e verës shqiptare.
Universiteti “Fan S. Noli” është krijuar mbi bazën e Institutit të Lartë Bujqësor të Korçës, i cili nisi aktivitetin në vitin 1971. Me kalimin e viteve, institucioni është zgjeruar në disa fusha të arsimit të lartë dhe sot vijon të jetë një nga institucionet kryesore arsimore të juglindjes së vendit.
55-vjetori nuk ishte vetëm një përvjetor, por edhe një moment për të parë se ku kanë mbërritur njerëzit që kanë kaluar në auditorët e tij.
Nga Korça në Paris, nga Kanadaja në NATO e deri te sipërmarrja shqiptare, këta emra janë pjesë e historisë së universitetit dhe një mesazh për brezat e rinj: një diplomë e marrë në Korçë mund të jetë vetëm fillimi i një rruge që të çon shumë larg.


