Emiljano Cela nuk do të jetë më në drejtimin e KF Pogradecit. Klubi liqenor ka njoftuar zyrtarisht ndërprerjen e bashkëpunimit me teknikun, pas dorëheqjes së këtij të fundit, e cila është pranuar nga drejtuesit e klubit.
Mësohet se shkak për largimin e Celës janë bërë rezultatet e dobëta të skuadrës, të cilat nuk kanë përmbushur objektivat e vendosura në këtë sezon futbollistik.
Ndërkohë, drejtuesit e KF Pogradecit kanë nisur punën për gjetjen e trajnerit të ri, por ende nuk ka një emër konkret që pritet të marrë drejtimin e pankinës pogradecare.
Deri në përzgjedhjen e trajnerit të ri, stërvitjet dhe përgatitjet e skuadrës do të vijojnë normalisht. Emri i pasuesit të Celës pritet të bëhet i ditur përmes një njoftimi zyrtar të klubit.


