Drejtuesi i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka zhvilluar një vizitë në Korçë, në kuadër të nismës për mbledhjen e firmave për një referendum që synon shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike dhe të ashtuquajturës “Paketë e Maleve”.
Gjatë takimit me qytetarët, Lapaj bëri të ditur se deri më tani janë mbledhur rreth 90 mijë firma, duke iu afruar pragut prej 100 mijë firmash, që sipas tij nevojiten për vijimin e procesit.
Ai u shpreh se nisma mbështetet edhe nga të rinjtë dhe studentët, ndërsa kundërshtoi dy ligjet, të cilat sipas tij favorizojnë individë të lidhur me pushtetin.
Edhe disa qytetarë të Korçës iu bashkuan peticionit, duke firmosur në mbështetje të nismës. Ata shprehën kundërshtimin ndaj Paketës së Maleve, duke theksuar se pasuritë dhe interesat e vendit duhet të jenë në shërbim të qytetarëve.
Mbledhja e firmave pritet të vijojë edhe në ditët në vijim, ndërsa organizatorët synojnë të arrijnë kuotën prej 100 mijë firmash për t’i hapur rrugë procesit të referendumit për shfuqizimin e dy ligjeve.


