Skënderbeu ka marrë një fitore të rëndësishme në transfertë, duke mposhtur Partizanin me rezultatin 0-2 në Vorë. Pas ndeshjes, trajneri i korçarëve, Julian Ahmataj, u shpreh i kënaqur me tri pikët, ndërsa theksoi se skuadra ka ende hapësirë për përmirësim.
Ahmataj vlerësoi forcën e kundërshtarit, veçanërisht në fazën sulmuese, duke pranuar se skuadra e tij pati vështirësi në minutat e para të takimit. Megjithatë, sipas tij, loja u stabilizua dhe Skënderbeu kishte mundësi të shënonte më herët.
“Na gëzojnë vetëm pikët, në këtë moment na duheshin fitoret. E nisëm jo mirë me rezultatet, loja nuk na ka munguar. Ka vend për përmirësim, për ta dërguar skuadrën në atë nivel që duam”, u shpreh trajneri.
Ai foli edhe për gjendjen e lojtarit Nasr, duke shpjeguar se nuk u rrezikua në këtë ndeshje për shkak të avantazhit të krijuar dhe terrenit plastik, ndërsa shprehu besimin se do të jetë më i vlefshëm në takimet e ardhshme.
Në përfundim, Ahmataj theksoi se skuadra ka cilësi dhe potencial për të arritur objektivat, por nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së qetësisë dhe përqendrimit.
“Ne kemi punuar shumë gjatë kësaj periudhe. Lojtarët japin maksimumin në fushën e lojës. Këta lojtarë janë të nivelit të lartë, me cilësi. Ne kemi brum. Gradualisht do të shkojmë te maksimumi ynë, por duhet të jemi me këmbë në tokë”, përfundoi Ahmataj.


