Korçë – Dy persona janë arrestuar dhe 23 të tjerë janë proceduar penalisht, pas akteve të dhunës të regjistruara gjatë tubimit të zhvilluar më 15 tetor në qytetin e Korçës. Mes personave të proceduar, 15 janë të mitur.
Sipas Policisë, gjatë tubimit, disa prej pjesëmarrësve, disa prej tyre të maskuar, kanë hedhur gurë, pllaka guri dhe sende të forta metalike drejt institucioneve shtetërore dhe pronave publike, duke dëmtuar godinat e Bashkisë Korçë, Drejtorisë Arsimore, Universitetit “Fan S. Noli” dhe gjimnazit “Raqi Qirinxhi”.
Dëmtime janë shkaktuar edhe në kangjellat e trotuareve, tabelat e reklamave dhe sinjalistikën rrugore. Gjithashtu, punonjësit e Policisë të angazhuar me shërbim janë përballur me akte dhune dhe kundërshtimi nga grupe pjesëmarrësish.
Në vijim të veprimeve hetimore, në pranga kanë rënë dy të rinj, 21 dhe 19 vjeç, përkatësisht banues në Voskop dhe Bilisht.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Korçës, vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në aktet e dhunës ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore dhe subjekteve private.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.


