Për 3 ditë me radhë, nga dita e martë, në Tiranë është duke u mbajtur një protestë studentore, ku mijëra të rinj janë derdhur në rrugë me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit. Megjithatë, përveç sulmeve ndaj institucioneve, që mund të konsiderohen legjitime për sa kohë që mllefi i tyre i drejtohet keqqeverisjes, tabelë qitjeje janë bërë edhe përfaqësuesit e mediave.
Gjatë ditës së sotme, Dorjana Bezat, një prej gazetareve të kahershme të kronikës, u bë pre e sulmit nga protestuesit, ndërsa më herët të njëjtin fat e pati edhe kolegu i saj i Shqipëria Live në Top Channel. Protestuesit dhunuan gjithashtu kamerën e Report TV, si dhe ofenduan gazetaren Raziela Myslymi, e cila ishte duke raportuar për protestën.
Të rinjtë pretendojnë se mediat janë të shitura, por një nga postulatet më të hershme të marrëdhënies së popullit me median është ai që lajmësi nuk preket.
Doriana, Raziela dhe kolegët e tyre që kanë rënë pre e sulmeve, përpara se të jenë gazetare të mediave për të cilat punojnë, janë vajza, nëna dhe qytetare të denja të kryeqytetit.
Punonjësit e medias janë ata që vuajnë veçanërisht kostot e ditëve të gjata të protestave, raportimin pa orar dhe javët pa pushim.
Prandaj, përpara se ta mendoni median si kundërshtaren tuaj, mendoni se shumë prej gazetarëve janë qytetarë të angazhuar të këtij vendi, të cilët, me fjalën e tyre, përpiqen të vendosin sadopak një tullë në ndryshimin e shoqërisë.
Por protestuesit nuk janë të vemtit që u kanë vështirësuar punën gazetarëve, pasi edhe dhuna policore ka qenë e pranishme ndaj tyre, qoftë me gaz lotsjellës, qoftë duke i penguar në kryerjen e detyrës.
Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) numri i incidenteve të raportuara dhe të dokumentuara nga AGSH gjatë tri ditëve të protestave, 13–15 tetor, arrin në të paktën 11. Përsëritja e këtyre ngjarjeve përbën një shqetësim serioz për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve në Shqipëri.


