Tradita, kultura dhe trashëgimia e Devollit janë bërë bashkë në një aktivitet të organizuar nga Bashkia Devoll në Ditën e Trashëgimisë Kombëtare.
Veshjet tradicionale, artizanati, kulinaria, këngët dhe vallet folklorike kanë sjellë në vëmendje elementët autentikë të kësaj treve, të ruajtur dhe përcjellë ndër breza.
Një nga momentet e veçanta të aktivitetit ka qenë vallja devolliçe, një prej simboleve të identitetit kulturor të zonës. Përmes saj është përcjellë historia, mënyra e jetesës dhe karakteri i banorëve të Devollit.
Risia e këtij viti ka qenë pjesëmarrja e “Sazeve të Vjetra Devollite”, të cilat kanë rikthyer tingujt tradicionalë të muzikës së kësaj treve.
Pjesë e aktivitetit kanë qenë edhe nxënësit, të cilët kanë prezantuar punime artizanale të trashëguara nga gjyshet, stërgjyshet dhe nënat e tyre, ndërsa gatimet tradicionale kanë sjellë në tryezë shijet karakteristike të Devollit.
Në kuadër të aktivitetit janë vlerësuar me certifikata mirënjohjeje edhe disa personalitete për kontributin e tyre në fusha të ndryshme. Ndër ta kanë qenë valltari dhe koreografi Ali Kondi, i vlerësuar pas vdekjes për kontributin në ruajtjen dhe përcjelljen e valles devolliçe, si dhe Kostandina Mano, me motivacionin “Mjeshtre e traditës dhe shijes autentike”.
Vlerësime janë dhënë gjithashtu për Edmond Canen, me motivacionin “Futbollist”, dhe Myfide Lamen, e cilësuar “Simbol i arsimit”.
Aktiviteti synoi të shërbejë jo vetëm si një ditë feste, por edhe si një kujtesë për rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe përcjelljes së saj te brezat e rinj.


