Është konfirmuar rasti i dytë me virusin e Nilit Perëndimor në Shqipëri, ndërsa edhe ky rast është regjistruar në qarkun e Korçës.
Bëhet fjalë për një 51-vjeçar nga fshati Vreshtas i Maliqit. Sipas të dhënave, 51-vjeçari ka deklaruar se ka qenë duke punuar në arë, kur është pickuar nga një insekt.
Pas konfirmimit të rastit, në zonë kanë mbërritur specialistë nga Tirana, të cilët kanë kryer kontrolle dhe vrojtime në terren për të vlerësuar situatën dhe për të evidentuar praninë e mushkonjave që mund të jenë bartëse të virusit.
Ky është rasti i dytë i konfirmuar gjatë këtij viti në vend. Rasti i parë u konfirmua në muajin gusht, te një 72-vjeçar nga Korça.
Specialistët vijojnë monitorimin në zonën e Vreshtasit, ndërsa strukturat shëndetësore po ndjekin situatën për të parandaluar raste të tjera.
Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.


