Dy operacione policore janë finalizuar në Qarkun e Korçës, duke goditur veprimtarinë kriminale të dhënies së ndihmës, kundrejt fitimit, për kalimin e paligjshëm të kufirit nga emigrantë që vijnë nga vendet e treta.
Operacionet e koduara “Route 2” dhe “Qatromi” u zhvilluan nga shërbimet e Policisë Kufitare të DVKM Korçë dhe Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme pranë DVP Korçë.
Në kuadër të operacionit “Route 2”, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë nr. 6 Tiranë, kapën dhe ndaluan shtetasin Marjus Shkembi, 21 vjeç, banues në Tiranë.
I riu u konstatua në fshatin Tren të Devollit, duke transportuar me automjet 5 shtetas nga vendet e treta. Sipas Policisë, ai nuk iu bind urdhrit për të ndaluar dhe u largua me automjet në drejtim të aksit Korçë-Pogradec.
Gjatë ndjekjes, në fshatin Gurishtë, 21-vjeçari braktisi automjetin dhe u largua në këmbë. Pas disa orësh kërkimesh, ai u kap nga shërbimet e Komisariatit të Policisë nr. 6 Tiranë.
Ndërkohë, operacioni i dytë, i koduar “Qatromi”, u zhvillua pas një hetimi disajavor me metoda proaktive, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Korçës.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë Serxhi Demollari 21 vjeç, banues në fshatin Libonik, Maliq.
Nga hetimet ka rezultuar se 21-vjeçari ndihmonte shtetas të huaj duke i strehuar në një ndërtesë të braktisur në fshatin Qatrom të Korçës dhe më pas i transportonte me automjet drejt Tiranës, kundrejt pagesës.
Në momentin e ndërhyrjes së Policisë, S. D. nuk iu bind urdhrit për të ndaluar dhe tentoi të largohej nga automjeti. Brenda tij u gjetën 6 emigrantë nga vendet e treta, ndërsa 21-vjeçari u kap disa metra larg automjetit.
Për të dyja rastet, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.


