Nga fillimi i vitit 2005 po pija kafe me Mero Bazen.
Vit elektoral. Folëm për disa kandidatë për deputetë të PD-së.
-Për Përmetin Berisha duhet të zgjedhë një djalë që jeton në Tiranë, me origjinë nga Përmeti.
Por unë i kam thënë “hastalavista” politikës.
Një ditë më vonë më bie telefoni. Ishte Berisha:
-Po të jesh i lirë, nga ora 11:00 të pres në zyrë.
Futem në zyrë të Berishës.
-Urime! Ti je kandidati më i mirë për Përmetin. Nguli këmbë dhe Mero…
-Ok! Por më duhet leja nga shefi?
-Filipit thuaja lajmin, kur të marrësh mandatin?…
I tregova Filipit. Ai më tha: thuaj edhe Tanit. Edhe ai më tha:
-Shko dhe fito? Do të të ndihmojmë në fushatë.
Unë humba. Fitoi PD.
Takova Tanin:
-Me Berishën kryeministër, duhet të largohem nga Fiksi.
-Më tha Filipi. Por unë kam një ide. Do jesh këshilltari im. Por do punosh tek Fiksi…
Nga mesi i nëntorit 2007 Tani më ftoi për kafe.
-Dua të takoj Berishën. E di pse?
Nuk kam shumë besim tek Rama.
Unë dy gjëra kërkoj.
1.Rrugën për në Selanik. (Në atë vit kishte përfunduar rruga Elbasan-Kapshticë. Ishte hedhur ideja e tunelit të Krrabës.)
2.Mbështetja për Kosovën…
Berisha më priti në zyrë. Pa më dëgjuar më tha:
-Do të bëhesh ambasador në Romë?
-Nuk më shkon kostumi i diplomatit.
Kam ardhur me një kërkesë:
-Në “Top Channel” mbi 40 për qind e punonjësve janë me PD-në.
A mund të bësh një takim me Tanin?
Porositi një kafe të dytë. U mendua. Lëvizi nëpër zyrë:
-Pas disa ditësh do festojmë 28 Nëndorin. Festën e Pavarësisë dhe Çlirimit. Do takohemi te hotel “Tirana”. Do të bëjmë ftesë për Dritan Hoxhën dhe drejtuesit e “Top Channel”. Le të jetë ky si takim i parë…
Erdhën edhe ftesat. Në hollin e hotelit, Berisha takoi Tanin, Kelin, Filipin, Zaganjorin
etj.
Pas disa ditëve, më tregonte Tani:
-Piva kafe me Genc Rulin. Mes muhabetit më thotë:
-Nga të gjithë ministrat, Ridvan Bode bën debate të forta me Berishën.
A mund ta takoj Boden?
U futa në zyrën e ministrit të Financave. Falë miqësisë, i thashë troç:
-Do nuk do, duhet ta presësh në zyrë Tanin e “Top”…
-Me një kusht. Në zyrë të vini të dy…
Pas dy ditëve na priti ministri. Erdhi kafja.
-Pse nuk përdorni kafe Lori… Do ta keni dhuratë nga unë.
E nisën bisedën me TVSH 10 për qind. Vazhduan me digjitalizimin e financave.
Tani pasi i foli me pasion për televizionin i tha:
-Kam dështuar vetëm në dy gjëra.
1.Gazetën “Shqip”.
2.Televizorin në celular.
Akulli ishte shkrirë.
Unë kërkova të largohem.
Një ditë më vonë Tani më tha:
-Çfarë mendoi Bode për takimin?
Ministri qeshi.
-Djalë inteligjent. E ka kuptuar që bota është e rrumbullakët. Bashkëpunim, jo armiqësi qeveri – biznes.
Nga fillimi i vitit 2008 më thotë Tani:
-Dua të takoj Berishën në zyrë. Do të të them se kur.
Por erdhën ngjarje të tmerrshme.
Më 15 mars 2008 tragjedia në Gërdec. -26 të vdekur. 300 të plagosur.
Më 23 maj 2008 Tani humbi jetën…
Ishte 39 vjeç…


