Një tjetër vlerësim i rëndësishëm për shqiptaro-amerikanen Fotini Allteni Kokeri, e cila është nderuar më 29 gusht në Tampa Bay të Floridës për kontributin e saj në komunitet dhe veprimtarinë humanitare.
Në ceremoninë e organizuar nga Tampa Bay Area Chiefs of Police Foundation, Kokeri u vlerësua me çmimin “Business Partner of the Year”, ndërsa në fjalën e saj të rastit ajo e cilësoi këtë si “Businesswoman of the Year Award”.
“Jam e nderuar dhe mirënjohëse për këtë çmim”, u shpreh Kokeri, duke falënderuar drejtuesit e fondacionit, shefat e policisë, oficerët dhe të gjithë profesionistët e zbatimit të ligjit për shërbimin dhe mbrojtjen e komunitetit.
Përtej vlerësimit profesional, Kokeri e lidhi këtë moment edhe me identitetin e saj shqiptar. “Si shqiptaro-amerikane, jam e rrethuar nga kaq shumë familje shqiptare të mrekullueshme që e kanë bërë Tampa Bay shtëpinë e tyre dhe ne jemi krenarë ta quajmë Tampa Bay shtëpinë tonë”, tha ajo.
Fotini Allteni Kokeri është një emër i njohur për aktivitetin e saj filantropik në SHBA dhe lidhjet e forta me komunitetin shqiptar. Ajo është trustee e Kosloski Family Foundation dhe Michael J. Kosloski Foundation, fondacione që mbështesin ndër të tjera shëndetësinë, arsimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Kontributi i saj është vlerësuar edhe më herët nga organizata shqiptaro-amerikane. Në vitin 2025, American Albanian Law Enforcement Association (AALEA) i akordoi asaj çmimin kombëtar “Two Flags, One Heart”, për punën e saj në mbështetje të spitaleve, personave në nevojë dhe komunitetit shqiptar.
Nga mbështetja për shëndetësinë dhe arsimin, te promovimi i kulturës shqiptare në diasporë, Kokeri e ka kthyer filantropinë në një pjesë të rëndësishme të rrugëtimit të saj në SHBA.
“Suksesi nuk ka të bëjë vetëm me atë që arrijmë, por edhe me atë që i japim komunitetit dhe njerëzit që ngremë me vete gjatë rrugës”, ishte mesazhi i saj në këtë mbrëmje.
Një tjetër moment krenarie për një shqiptare që ka ndërtuar jetën në Amerikë, por që vijon të ruajë lidhjet e forta me komunitetin dhe vendin e origjinës.


