Shkolla e Vashave në Korçë, një prej simboleve të rëndësishme të arsimit dhe emancipimit të gruas shqiptare, ka hapur dyert për publikun pas vitesh e mbyllur. Në 135-vjetorin e saj, godina historike, e lidhur me emrat e Sevasti dhe Parashqevi Qiriazit, mirëpriti vizitorë përmes një ekspozite me libra, dorëshkrime, flamuj dhe objekte me vlera historike.
David Hosaflook, përfaqësues i Institutit Ungjillor, u shpreh se hapja e godinës përbën një moment të rëndësishëm, pasi për herë të parë që nga viti 1930, publiku ka mundësi të vizitojë këtë hapësirë dhe të njihet nga afër me historinë e saj.
Ekspozita solli gjithashtu materiale që i përkisnin Sevasti dhe Parashqevi Qiriazit, të cilat ruhen në fondet e Bibliotekës Kombëtare. Drejtoresha e këtij institucioni, Majlinda Toci, theksoi se dokumentet dhe dorëshkrimet prezantohen për herë të parë për publikun, duke dëshmuar kontributin e dy motrave në arsimimin e vajzave shqiptare.
Rreth 135 vite më parë, hapja e një shkolle për vajza përbënte një akt guximi, në një kohë kur arsimimi i tyre përballej me paragjykime dhe kundërshtime shoqërore.
Ndërkohë, godina historike i është nënshtruar procesit të rikonstruksionit, me synimin që në të ardhmen të shndërrohet në një qendër muzeale, ku të mirëpriten vizitorë, studiues dhe aktivitete të vogla kulturore.
Hapja e dyerve për publikun shënon një hap të rëndësishëm për ruajtjen dhe promovimin e kësaj trashëgimie historike, që lidhet ngushtë me historinë e arsimit kombëtar dhe përpjekjet për emancipimin e gruas shqiptare.


