Vandalizëm në Kishën e Shën Thanasit në Sinicë, në majë të malit, rreth 1300 metra mbi nivelin e detit. Persona ende të paidentifikuar kanë dëmtuar objektin e kultit, duke thyer ikona dhe dëmtuar objekte brenda kishës, ndërsa në ambientet e saj është hedhur edhe çimento.
Banorë dhe dashamirës të fshatit, të cilët prej kohësh përpiqen ta mirëmbajnë dhe ta ruajnë kishën, e kanë denoncuar këtë akt, duke e cilësuar si një goditje ndaj një prej simboleve të traditës dhe kulturës së Sinicës.
Kisha e Shën Thanasit konsiderohet një vend i shenjtë jo vetëm nga banorët e krishterë, por edhe nga komuniteti mysliman i zonës. Bashkëjetesa fetare është një nga tiparet e historisë së Sinicës, ndërsa banorët sjellin në vëmendje edhe raste kur kisha është rindërtuar me kontributin e përbashkët të gjithë komunitetit.
Banorët shprehen se dëmtimi i kishës nuk cenon vetëm një objekt kulti, por edhe historinë, traditën dhe harmoninë fetare të fshatit. Ata kërkojnë identifikimin e autorëve dhe marrjen e masave për mbrojtjen dhe restaurimin e objektit të kultit.


