Ka nisur edhe në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë bojkoti i procesit mësimor, në kuadër të protestave që prej disa ditësh po zhvillohen në qytet. Këshilli Studentor ka vendosur që bojkoti të vijojë çdo ditë, ndërsa studentët shprehen se distancohen nga çdo akt dhune.
Pavarësisht thirrjes për bojkot, pjesëmarrja e studentëve në tubimin dhe marshimin e zhvilluar në Korçë ka qenë e ulët. Edhe pse një pjesë e pedagogëve janë shprehur në mbështetje të studentëve dhe u kanë bërë thirrje të bashkohen në protestë, numri i pjesëmarrësve ka qenë i kufizuar.
Pedagogët Alketa Pasholli dhe Gjergji Mero kanë shprehur mbështetjen e tyre për studentët, por edhe zhgënjimin për pjesëmarrjen e ulët në tubim dhe marshim.
Ndërkohë, studentët bëjnë të ditur se bojkoti do të vijojë në ditët në vijim, duke theksuar se synimi i tyre është të shprehin qëndrimin në mënyrë paqësore dhe të distancohen nga çdo formë dhune apo veprim i dhunshëm.


