Edhe fati donte të na shihte gjithë jetën bashkë
Korçë – Një vajzë me sy të shndritshëm, me një buzëqeshje të ëmbël e me një vështrim rrëmbyes kishte zënë vend përballë meje. Diçka ndjeva që në çastin e parë. Edhe tani nuk di ta përshkruaj atë moment. Më mbetën sytë atje, tek ajo. U befasova dhe shtanga njëkohësisht. Atë vajzë nuk e kisha parë kurrë ndonjëherë në jetën time. ‘Cila të ishte vallë ajo vajzë’, – mendova. Nga cili vend vinte? ‘Përse ndodhej atë çast përballë meje’? ‘Mos vallë fati kërkonte të tallej me mua, thjesht donte të më torturonte’? Po ndjeja që edhe zemra ime nuk ishte më e qetë, fërgëllonte…”. Kështu e nis tregimin e jetës së tij, 77-vjeçari, Pandi Vakëflliu nga Korça, ndërsa rrëfen dashurinë e jetës së tij. ‘Edhe unë rastësisht ndodhesha në të njëjtin vend me atë vajzë, vijon të tregojë Vakëflliu. Deri atëherë kisha parë shumë vajza, por ajo se ç’kishte diçka të veçantë. Edhe e veshur ishte ndryshe. Nuk ngjante aspak me të tjerat. Kishte veshur një xhaketë, të qepur në një mënyrë të tillë që nuk e kisha parë në tjetër vend. Për mua, ajo, atë çast sapo kishte zbritur nga qielli. U rrëqetha kur kuptova se sytë e mi kishin mbetur atje dhe të gjithë po më vështronin mua që kisha mbetur i ngrirë si nga një magji. U trondita edhe me keq, kur kuptova se edhe sytë e saj ishin ndalur tek unë. “Ç’po ndodh me ne të dy këtë çast? – pyeta veten. Përgjigje nuk gjeja dot…
Rastësi
Gjithçka që po ndodhte ishte rastësi dhe e papritur. Unë isha nga Korça, ndërsa nuk e dija se kush ishte ajo dhe nga ç’vend vinte. Unë isha në vitin e tretë gjimnaz, por nuk e dija çfarë shkolle ndiqte ajo. Atë çast, unë së bashku me disa të tjerë ndodheshim në kampin e pushimit të rinisë në Durës si nxënës të dalluar. Edhe ajo ndodhej aty për të njëjtën arsye, por unë nuk e dija nga cili fshat apo qytet vinte ajo. Madje nuk e dija nëse ishte më e madhe apo më e vogël se mua. Vajza që kisha përballë kishte një hijeshi hyjnore, më kishte magjepsur. Nuk e di pse atë çast mendova se ajo vajzë me sy kaq të bukur vinte nga një familje me tradita të hershme. “A thua që kjo vajzë të jetë bashkëshortja ime e ardhshme”, mendova. Pastaj befas reflektova. “Mos jam i çmendur”, – pyeta veten. “Që tani do të martohem unë”?. Kurrë më parë nuk më kishte ndodhur një gjë e tillë. Në klasën time, atje në Korçë, kisha mjaft vajza të bukura, por kaq keq nuk më kishte shkrepur ndonjëherë në kokë. Diçka kishte ndodhur në shpirtin tim. Doja që ajo të ishte me patjetër gruaja ime e ardhshme. “O Zot”! –pëshpërita, kushedi për të satën herë. Në sallën ku ishin mbledhur gjithë nxënësit e dalluar të rretheve, mbrëmja e vallëzimit sapo kishte filluar. Pak më parë ajo nuk kishte qënë aty, kurse tani po e shihja përballë meje. Po bëhesha gati për të qënë i pari për të vallëzuar me të. Më dukej sikur të gjithë djemtë do të ngriheshin e do të shkonin për të marrë atë në vallëzim. Rrëqethja që po më përshkonte trupin nuk po më ndahej, ndihesha i shqetësuar. A do të mundesha vallë të flisja me atë vajzë që po rrëmbente çdo minutë shpirtin tim…”?
Mbremja e vallëzimit
“Vallëzimi nisi sërish. Edhe pse desha të ngrihesha i pari, çuditërisht u stepa. Ngurova e nuk pata guxim. Pata frikë se gjithçka do të përfundonte në një zhgënjim të plotë. Ndoshta ajo edhe mund të më refuzonte. Oh, vetëm kjo gjë nuk doja të ndodhte. Nuk më kujtohet as sot e kësaj dite se si isha ngritur nga vendi krejt papritur dhe po ecja drejt saj. Isha si në një ëndërr. Mbaj mend që kisha mbërritur para këmbëve të saj dhe diçka pëshpërita, në të vërtetë më shumë belbëzova sesa thashë ndonjë gjë për të qënë. Mesa duket e kisha ftuar në vallëzim. Ajo ishte ngritur në këmbë, më buzëqeshi, pastaj së bashku ecëm disa hapa drejt njerëzve që vallëzonin. Çuditërisht kisha harruar se si kapej një vajzë në vallëzim. Nuk dija nëse krahu i djathtë duhej të rrethonte belin e saj apo këtë gjë duhej ta bëja me dorën tjetër. Nuk po më ndihmonte dot as vajza që tani e kisha kaq pranë. Pata përshtypjen se edhe ajo ishte e hutuar. Përmes përpjekjesh titanike e preka me duart e mia. O, Zot, sa e këndshme ishte! Edhe sot kur e kujtojmë atë çast na vjen për të qeshur me hutimin tonë… Megjithatë, ajo tani ishte me mua. Ne preknim duart e njëri –tjetrit, ngrohtësia e trupit të saj po më turbullonte. Duhej thënë diçka, po ku t’i gjeja fjalët. Asnjë shkronjë e vetme nuk kishte mbetur në trurin tim. Po sikur të thosha ndonjë budallallëk. Kjo gjë më trembte edhe më shumë, më tmerronte. Dreqi e mori! As ajo nuk po merrte guximin të më thoshte ndonjë fjalë. Vallëzonim nën një melodi të ëmbël dhe rrinim të heshtur, ndërsa kundroja fshehtas gjithçka të saj. A thua se të dy kishim patur nevojë për të qënë pranë njeri-tjetrit? Po përpiqesha të gjeja diçka për të thënë…”.
Berati
Një çast më pas, pas shumë përpjekjesh e pyeta: “Nga jeni? “Nga Berati”, m’u përgjigj ajo. Vura re se kishte një zë jashtëzakonisht të veçantë. Unë do ta quaja të çiltër. A ka zë të çiltër? Nuk e di pse edhe Berati po më dukej një qytet mjaft i dashur. Në të vërtetë nuk kisha qënë ndonjëherë në atë qytet, vetëm se kisha dëgjuar për hrshmërinë e tij; për kalanë, për shtëpitë karakteristike, për familjen vrionase dhe asgjë më shumë. “Po ju nga jeni”?- më pyeti ajo. “Nga Korça,- iu përgjigja. “Korça më pëlqen shumë”, – tha vajza. Fjalët e saj sikur më ngrohën. Sa mirë që isha nga Korça dhe jo nga një qytet që asaj vajze edhe mund të mos i pëlqente. “Korça më pëlqen shumë”,- përsëriti ajo. Desha t’i thosha që në Korçë është dhe Mësonjëtorja e Parë Shqipe, por nuk e di pse ndryshova mendje. Ndoshta do t’i dukej si mburrje. “Përse studioni”?- e pyeta. “Jam në vit të tretë të Shkollës Pedagogjike, “1 Maji”, në Berat,- më tha. Pastaj më pyeti: “Po ju përse studioni”?. “Unë jam në vitin e tretë, në gjimnazin “Raqi Qirinxhi”, në Korçë, -iu përgjigja. “Qënkemi të dy të një moshe”, mendova dhe nuk e di pse u ndjeva më i qetë që ajo nuk kishte qënë më e madhe se mua. “Ç’të ishte vallë kjo, rastësi”? Veshja e saj më kishte bërë shumë përshtypje, ndaj doja ta pyesja edhe për këtë gjë: “Si mundeni të siguroni një veshje të tillë, kaq të bukur”? Ajo qeshi me pyetjen time, qeshi me zë të lartë dhe u ngjesh pas trupit tim. M’u duk mjaft e afërt. “Babi im është rrobaqepësi më i mirë i Beratit, nisi të më shpjegonte ajo, traditat tona familjare në rrobaqepsi janë të hershme. Ne kemi veshur edhe familjen e vrionasve”. Përgjigjja e saj më la të befasur.
Kisha patur të drejtë kur kisha mendur se kjo vajzë vinte nga një familje me tradita. “Vrionasit spikatnin edhe për kulturën franceze”,- i thashë. “Sigurisht,- m’u përgjigj, por edhe im at ka një njohje të mirë të kulturës perëndimore”. Nuk mund të dyshoja te fjalët e saj. Ishte viti 1950. Çuditërisht kishim folur mjaft dhe nuk e kisha pyetur për emrin. “Si quheni”?- e pyeta. “Elsa, – më tha ajo, Elsa Xinxo. Ke qënë ndonjëherë në Berat”? “Jo”,- iu përgjigja. Nëse më bie rasti të vij ndonjëherë, ku mund t’ju gjej?” “Unë banoj në lagjen “Goricë”,- më tha Elsa. “Mbase do të vij ndonjë ditë”,- i thashë. Pas kësaj pësoi një heshtje e gjatë. Nuk e di pse ndodhi ashtu. Ndoshta Elsa nuk pati guxim të më thoshte: “Të pres të vish”. Megjithatë drojtja e parë më kishte kaluar. “Ju më pëlqeni shumë”, i thashë. Fjalët e mia ishin krejt të papritura. Më shumë nuk mund t’i thosha asgjë. Prita çfarë do të më thoshte ajo, por Elsa vetëm qeshi. “Do të më pëlqente që këto ditë të rrinim bashkë”- i thashë. Edhe pas këtyre fjalëve Elsa qeshi sërish, por duke më thënë: “Edhe mundet të ndodhë kështu”. Vallëzimi kishte mbaruar…”.
Ditët e fundit
Në qytetin e Durrësit do të qëndronim 2 javë , por që nga ai çast që u njoha me Elsën, nuk na kishin mbetur edhe shumë ditë. Nisëm të takoheshim çdo mbremje. Ju ndoshta nuk e besoni, por ne nisëm të ndiheshim të dashuruar. Një ditë përpara ndarjes u strukëm diku dhe qëndruam gjatë në atë vend… “Më vjen keq që do të ndahem nga ty”,- më tha ajo. Të njëjtën gjë ndjeja edhe unë, por dita e fundit kishte mbërritur.. Kur do të ndaheshim i dhashë dorën dhe i thashë: “Elsa, unë të dua”! “Edhe unë”,- më tha ajo. Pas këtij çasti, ajo u nis në Berat dhe unë drejt Korçës. Mund të them se që nga ai moment nuk e harrova kurrë. Po si mund të lidhesha me të? A mund t’i dërgoja një letër a një fjalë? As njërën dhe as tjetrën nuk e bëja dot. Shpresoja që një ditë të shkoja në Berat dhe ta takoja atje. Sigurisht që ajo do të ishte bërë mësuese dhe unë do të gjeja në shkollë duke dhënë mësim. Edhe unë do ulesha në një nga bankat e saj dhe do të rrija të dëgjoja se si ajo fliste me atë zërin e saj aq të ngrohtë dhe të pastër. Që të gjitha këto ishin ëndërra, sepse nga shtëpia nuk mund të largohesha dot pa lejen e prindërve. Një vit më pas, në vitin 1951 përfundova studimet në gjimnaz. Prisja të më delte e drejta e studimit. Nëse do të më dërgonin në Tiranë, do të gjeja gjithë kohën e mundshme për të shkuar në Berat; nëse nuk do ta gjeja si mësuese, me siguri do ta gjeja në lagjen “Goricë”. Padurimi im po bëhej i papërmbajtëshëm…”.
Rumania
Nga që gjimnazin e përfundova me nota të shkëlqyera më erdhi njoftimi: Do t’ju dërgojmë në Rumani për të studiuar për mjeksi. Nëna dhe babai sa nuk fluturonin nga gëzimi. Djali i tyre do të bëhej doktor! Vetëm unë nuk ndihesha i lumtur. Nuk doja të shkoja në Rumani. Nëse do të përfundoja atje, Elsën nuk do ta takoja dot kurrë. Të them të drejtën qaja fshehurazi, por nuk kisha rrugë tjetër. O, Zot,- thashë me vete, në është e mundur më ndihmo, mos më dërgo në Rumani. Të lutem, më dërgo te Elsa”! Befas ditën që u nisa për në Rumani, më thanë se emri im ishte hequr nga lista. Ju nuk mund ta merrni dot me mend sa i qetë e i lumturuar u ndieva atë çast. Në djall të vinte doktori! U ktheva në shtëpi. Aty mora vesh se do të shkoja në Tiranë në Universitetin e Shkencave të Natyrës, për Matematikë – Fizikë. Pata përshtypjen se dita për t’u takuar me Elsën po afronte. Babai me nënën që nuk dinin sekretet e shpirtit tim më thoshin herë pas herë: “Pandi mos u mërzit që nuk të dërguan në Rumani, edhe në Tiranë mirë do të jesh”. “Jo, nënë, – i thosha, jam shumë i gëzuar që do të shkoj në Tiranë”. Lekët që do të më jepnin prindërit për t’i patur me vete do t’i shfrytëzoja për të shkuar në Berat. Vetëm këtë gjë mendoja. Nëse nuk do ta gjeja atje, do të pyesja mësuesit e saj për të mësuar se ku mund ta gjeja Elsën time. Shpesh më pushtonte frika. Më dukej sikur diçka e tmerrshme kishte ndodhur me të. Jo rrallë herë më shfaqej fytyra e saj, duke më thënë: “Unë jam duke të pritur Pandi, por ti po vonohesh kaq shumë…”.
Kombinati Tekstil
“Sapo mbërritën në Tiranë na thanë që dy muaj, shtatorin dhe tetorin, do të punonim për ndërtimin e Kombinartit të Tekstileve. Kjo gjë më mërziti shumë, por s’kisha çfarë të bëja. Ndoshta një javë më pas do të kërkoja leje për të shkuar në Berat. Gjithë studentët djem i vunë të punonin me kazmë, ndërsa vajzat i caktuan për pastrime në ambientin e brendshme të kombinatit. Të them të drejtën, puna ishte e lodhshme. Kur u kthyem në mbremje, dikush nisi të lexonte emrat e atyre që ishin dalluar në punë. U lexuan shumë emra. Me sa më kujtohet në fund të listëts kishte qënë edhe emri im. Sekretari i Rinisë lexoi: “Për punë të palodhur dallohet edhe Pandi Vakëflliu…Pikërisht në këtë çast ndodhi diçka e çuditshme, që nuk e kisha menduar kurrë. Një vajzë nisi të çante përmes turmës duke thirur: Pandi…! Pandi Vakëflliu…! Pandi…! Ktheva kokën andej nga vinte zëri për të parë çfarë kishte ndodhur. Nuk po e shquaja dot. Vura re se ishte një vajzë e vogël që përpiqej të delte nga turma. Pandi…! Pandi…! dëgjohej zëri i saj… Kishte qënë Elsa. Elsa Xinxo. Ju ndoshta nuk e besoni. U ngrita në këmbë dhe thirra fort, shumë fort: Elsa…! E kapa për mesi, e rrotullova në ajër, atje në mes të studentëve dhe të punëtorëve të kombinatit dhe e përqafova fort. Të gjithë kishin mbetur të shastisur. Nuk po kuptonin çfarë po ndodhte. Ndoshta menduan se ne ishim kushërinj. Më pas do ta merrnin vesh se ne të dy kishim gati dy vjet që njiheshim”. O, Zot sa i lumtur isha!
Mësuesja e letërsisë
Pak më vonë u gjendëm të dy bashkë. “Po si ndodhi kështu Elsa, nuk e kisha menduar kurrë që do të vije në Tiranë për studime “Po, Pandi erdha, më ka dalë e drejta e studimit për Gjuhë- Letërsi,- më tha ajo. Ti, Pandi, ndoshta nuk e beson, por unë jam femra e parë në gjithë rrethin e Beratit që shkon në universitet, ndoshta në kohën e Zogut mund të ketë patur ndonjë grua me arsim të lartë, por unë nuk e di këtë. Po juve, përse do të studioni”,- më pyeti Elsa. “Unë do të studioj për Matematikë –Fizikë”. “Vërtetë, po kjo qënka një mrekulli! Do të jemi bashkë te Institutin e Shkencave të Natyrës, sepse aty do të studiojmë edhe ne”. Një çast më vonë nisëm të flisnim për njëri-tjetrin. Që kur u nisa për në Tiranë, mendoja veç për ty, – më tha Elsa. Ëndërroja, sikur do të gjeja në këtë qytet të madh dhe do të të thërrisja që së largu: “Pandi, ku je”? Gjithnjë kam qënë nxënëse e mirë, por për t’u takuar me ty, nisa të studioja gjithnjë e më shumë. Në përfundim të shkollës u vlerësova me Medaljen e Artë. Nuk dija ku të të gjeja Pandi. Të vija në Korçë e kisha të pamundur. O, Zot, çfarë mrekullie që na bashkoi përsëri”. As unë nuk mund të rrija pa i treguar se për hir të saj nuk doja të shkoja në Rumani. I tregova se një ditë do vija në Berat dhe do ta kërkoja në gjithë lagjen e “Goricës”. Do të trokisja portë më potrtë dhe ndoshta si i çmendur do të thërrisja emrin e saj. Kur ia tregova të gjitha këto, ajo nisi të qeshte me të madhe, ashtu siç kishte qeshur në mbrëmjen e vallëzimit, atje në kampin e rinisë në Durrës. Që nga ajo ditë nuk u ndamë më. Qëndruam gjithnjë bashkë. Elsa vazhdonte të shkëlqente në mësime. Ka qënë bashkëstudente me Drago Siliqin, Nasho Jorgaqin, Anastas Dodin, Ëngjëll Angonin e të tjerë. Në Kongresin e Drejtshkrimit Elsa do të mbante kumtesën mbi zanoren fundore – ë të patheksuar. Ishte kaq e talentuar sa të befasonte në gjithçka, Shkëlqente.
Mësuesi i fizikës
Sapo përfundova dy vjet studime, më emëruan mësues në Shkollën e Mesme të Liceut Artistik, ndërsa dy vitet e tjera do t’i përfundoja me korrespondencë. Ndërkohë punoja si pedagog i jashtëm edhe te “Qemal Stafa”, te Politeknikumi “7 Nëntori”, te “Shkolla Pedagogjike” etj. Merrja mjaft lekë. Tashmë e kishim një rrogë. Nuk kishte mbremje që të mos e kalonim bashkë. Elsa më thoshte vazhdimisht: “Zoti po na ndihmon”. Në vitin 1955 edhe unë edhe Elsa përfunduam studimet, por tashmë nuk e dinim ku do të na emëronin me punë. Ku ke qejf të punosh ti Pandi, – më pyeti Elsa. Në Tiranë, – i thashë. Po sikur të mos na lënë këtu? – më pyeti përsëri Elsa. Nëse nuk do të na mbajnë në Tiranë, atëherë le të na çojnë edhe në fund të botës, vetëm të jemi bashkë. Ke frikë sikur të na ndajnë?- erdhi pyetja tjetër e Elsës. Shumë – iu përgjigja, tashmë nuk mund të jetoj dot larg teje. Edhe unë, – më tha Elsa, – dua të jemi gjithnjë bashkë. Ndërsa ishim në ankth për emërimet tona, Elsës i erdhi njoftimi për të punuar Drejtore te Agjencia Tlegrafike Shqiptare, ndërsa unë do të vazhdoja si mësues, te Liceu Artistik, por nuk ndodhi këshu. Brenda disa ditëve gjithçka u anulua. Dikush na i prishi të gjitha planet. Nuk dëshiroj t’ia përmend emrin. Për herë të parë djalli ishte shfaqur në jetën tonë. Përsëri na mbërtheu ankthi për të marrë vesh se ku do të ishte njëri dhe ku do të ishte tjetri. O zot, si mud të ndaheshim, pikërisht në atë kohë kur kishim aq shumë nevojë për njëri-tjetrin! Në fillim erdhi emërimi i Elsës e kishin caktuar në Berat. Një çast më mbërtheu frika: mua mund të më caktonin në Korçë. Jo se nuk e doja Korçën, po si mund të shkoja i vetëm në qytetin tim. Kaluan disa ditë dhe dikush nga ministria më tha se kishin menduar që edhe mua të më dërgonin në Berat, sepse i dinin mardhëniet e mia me Elsën. Zoti kishte qënë sërish me ne. Që nga ai çast e harruam Tiranën.
U nisëm drejt Beratit. Në atë qytet qëndruam deri sa dolëm në pension. Në vitin 1995 Elsa më tha: Pandi, gjithnjë kam patur dëshirë të jetoja te vendlindja e bashkëshortit, atje doja ta kisha edhe varrin tim… A mundemi dot tani të shkojmë në Korçë…. Sigurisht që mundemi,- iu përgjigja. Dhe që nga ajo ditë ne jetojmë në Korçë, por në qytetin e Beratit, në atë qytet të ngrohtë, ku njerëzit të thonë vetëm “Mirëseardhe” dhe asnjëherë, “Kur do shkosh” lindën dy fëmijët tanë. Në vitin 1961 lindi Kostaqi, i cili studioi për inxhinieri kimike. Në vitin 1967 lindi Kamelia, ajo studioi për ekonomi. Sot që të dy ndodhen në Kanada. Kostaqi ka një vajzë 9 vjeçe me emrin Elina, ndërsa Kamelia ka një djalë me emrin Deni. Tashmë na merr malli vetëm për ata…por edhe për kujtmet tona…. Me këto fjalë i dha fund tregimit të tij, Pandi Vakëflliu, ndërsa, Elsa, që ishte e pranishme gjatë gjithë bisedës tonë, dukej e përmalluar, gati e përlotur…Ngjante me një çupëz të vogël që dukej sikur kërkonte të thoshte: “Pandi, unë edhe tani të dua aq fort sa ditën e parë kur të pashë në Durrës…