Bletaria po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një prej formave më tërheqëse të turizmit në juglindje të vendit, duke tërhequr vëmendjen e turistëve të huaj dhe grupeve të organizuara që vizitojnë fermat e mjaltit në qarkun e Korçës.
Aktualisht, në qark funksionojnë mbi 200 ferma bletësh, ndërsa disa prej tyre, falë investimeve dhe standardeve të larta, po kthehen në pika të rëndësishme turistike. Vizitorët jo vetëm njihen me procesin e prodhimit të mjaltit, por edhe me teknikat moderne të bletarisë dhe mënyrën e ruajtjes së cilësisë.
Së fundmi, një grup turistësh nga Gjermania vizituan një nga fermat më të njohura të zonës. Administratori i fermës, Eugen Skërmo, tha se interesi i grupeve turistike është në rritje të vazhdueshme.
“Kanë ardhur me guida turistike në Shqipëri dhe vendosën të vizitojnë një ose dy ferma. Janë të interesuar për bletën, për mjaltin dhe për risitë në bletari. Kemi ftuar edhe shoqatën e bletarëve të Korçës, në kuadër të një binjakëzimi me shoqatën e Bavarisë”, u shpreh ai.
Bavaria njihet si një nga rajonet më të zhvilluara për bletarinë në Gjermani, ndaj vizita e këtij grupi shihet si një mundësi e mirë për shkëmbim eksperience dhe bashkëpunim të mëtejshëm.
Kryetari i Shoqatës së Bletërritësve të Bavarisë, Franz Vollmajer, tha se qëllimi i vizitës ishte njohja nga afër me mënyrën se si zhvillohet bletaria në Shqipëri.
“Ne zakonisht udhëtojmë në vende të ndryshme për të parë si organizohet bletaria, llojet e mjaltit, mënyrën e përpunimit dhe ruajtjen e cilësisë deri në daljen në treg. Kemi parë me interes mënyrën si funksionon kjo fermë dhe dëshirojmë të mësojmë më shumë. Secili prej kolegëve është i interesuar të marrë informacion dhe ide të reja për t’i zbatuar në Gjermani. Interesi për bashkëpunim të mëtejshëm është shumë i madh”, u shpreh ai.
Vitet e fundit, fermat e bletëve në juglindje nuk po shërbejnë vetëm si qendra prodhimi, por edhe si destinacione të veçanta për turistët, duke u bërë pjesë e guidave të huaja dhe duke promovuar më tej potencialin e turizmit rural në Shqipëri.


