Bashkia e Korçës u ka kërkuar tregtarëve ambulantë dhe bizneseve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në zonën e Pazarit pas teatrit, si dhe përgjatë Pazarit të Vjetër deri pranë shërbimit zjarrfikës, të lirojnë hapësirat publike.
Ky vendim ka sjellë reagimin e tregtarëve, të cilët shprehen se këto hapësira i kanë përdorur prej vitesh për të ekspozuar dhe reklamuar mallin e tyre, duke e konsideruar si të domosdoshme për mbijetesën e biznesit.
Sipas tyre, kufizimi i ekspozimit të produkteve do të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e shitjeve dhe rrezikon falimentimin e shumë subjekteve që operojnë në këtë zonë.
“Erdhi policia bashkiake dhe na tha vetëm qepeni, asgjë jashtë. Ne dëmtohemi shumë, pa reklamë nuk ka klientë. Nuk ka njerëz në Korçë, jemi drejt falimentimit. Po nuk reklamuam mallin, nuk të vjen njeri”, shprehet një prej tregtarëve.
Ndërsa një tjetër thekson se pa ekspozimin jashtë, biznesi bëhet i padukshëm për klientët: “Nuk njihet si dyqan nëse nuk nxjerr mallin jashtë. Kjo është një rrugë e fshehtë, nuk pengon askënd. Klientët janë të paktë dhe të moshuar, mezi shesim.”
Në këto tregje ushtrojnë aktivitetin e tyre më shumë se 200 biznese. Pas një takimi me përfaqësues të tregtarëve, Bashkia ka sqaruar se reklamimi i mallrave do të lejohet, por vetëm në hapësira të kufizuara dhe pa penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa tregtarët kërkojnë rishikim të masave për të mos rrezikuar aktivitetin e tyre ekonomik.


