Pogradec – Tre shtetas rumunë, pjesëtarë të së njëjtës familje, janë ndaluar pasi dyshohet se tentuan të fusnin sende të ndaluara në IEVP-në e grave në Pojskë.
Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 14:00. Babai, nëna dhe vëllai i një shtetaseje rumune, e cila vuan dënimin në burgun e Pojskës për veprën penale të mashtrimit, ishin paraqitur për ta takuar, duke marrë me vete disa çanta me rroba për të.
Gjatë kontrollit të kryer nga efektivët e burgut, në njërën prej çantave u konstatuan një thikë dhe një aparat celular, sende që dyshohet se familjarët do t’ia dorëzonin të dënuarës.
Pas konstatimit të sendeve të ndaluara, tre shtetasit rumunë u shoqëruan për procedurat përkatëse. Sipas burimeve, familja kishte mbërritur në Shqipëri rreth dy ditë më parë.
Pas sekuestrimit të sendeve dhe marrjes së pamjeve filmike, ata janë marrë në pyetje në prani të avokatit.
Ndërkohë, mbetet e paqartë arsyeja se përse familjarët tentuan të fusnin në burg edhe thikën, krahas celularit. Sipas të dhënave paraprake, e dënuara rumune nuk njihet si problematike dhe nuk rezulton të ketë pasur konflikte me të burgosurat e tjera.
Kontroll është ushtruar edhe në dhomën ku qëndron e dënuara, por nuk është konstatuar asnjë send tjetër i ndaluar. Ngjarja është nën hetim për zbardhjen e plotë të rrethanave.


