Besimtarët katolikë të Korçës janë bërë pjesë e “Rrugës së Kryqit”, një nga ritualet më të rëndësishme të periudhës së Pashkëve, duke përkujtuar mundimet dhe sakrificën e Jezus Krishti.
Ata kanë ndjekur me përkushtim ndalesat e kësaj rruge simbolike, duke reflektuar mbi vuajtjet e Krishtit dhe mesazhin e dashurisë, faljes dhe sakrificës. Atmosfera ka qenë e qetë dhe e mbushur me ndjenjë shpirtërore, ndërsa pjesëmarrësit kanë ecur në heshtje, duke u lutur dhe medituar.
Famullitari i kishës, Dom Injacio, duke folur për rëndësinë e “Rrugës së Kryqit”, u shpreh se kjo është një thirrje për reflektim të thellë për çdo besimtar, për të kuptuar sakrificën e Krishtit dhe për ta përkthyer atë në jetën e përditshme përmes dashurisë ndaj njëri-tjetrit, faljes dhe përulësisë.
“Rruga e Kryqit nuk është vetëm një ritual, por një moment i rëndësishëm shpirtëror që na kujton vuajtjen dhe sakrificën e Krishtit për njerëzimin. Ajo na fton të ndalemi, të reflektojmë dhe të forcojmë besimin tonë”, u shpreh ai.
Pashkët mbeten një nga momentet më domethënëse për komunitetin katolik, duke bashkuar besimtarët në lutje dhe përkushtim.


