Biblioteka “Thoma Turtulli” në Korçë ka marrë një pamje të re pas përfundimit të punimeve të rikonstruksionit dhe rivitalizimit të saj. Godina, pjesë e identitetit dhe trashëgimisë kulturore të qytetit, tashmë do t’u shërbejë fëmijëve jo vetëm si një hapësirë leximi, por edhe si një qendër ku ata mund të zhvillojnë njohuri dhe aftësi digjitale.
Ceremonia e inaugurimit u zhvillua në prani të ambasadorit të Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, përfaqësuesve të Kooperacionit Italian dhe programit IACS, si dhe drejtuesve të Bashkisë së Korçës.

Projekti është realizuar me mbështetjen e qeverisë italiane dhe asaj zvicerane, ndërsa ndërhyrja në godinë është bërë duke ruajtur elementët karakteristikë të saj.
“Unë jam shumë i kënaqur që të inaugurojmë sot zyrtarisht, në prezencën e ambasadorit të Italisë në Shqipëri, të drejtuesve të Kooperacionit Italian dhe të programit IACS, përfundimin e punimeve të rikonstruksionit dhe të rivitalizimit të bibliotekës ‘Thoma Turtulli’. Më vjen mirë që falë kësaj mbështetjeje të qeverisë italiane dhe qeverisë zvicerane, bashkëfinancim, kemi mundur në radhë të parë ta rikonstruktojmë dhe ta restaurojmë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke ruajtur të gjithë detajet, përfshirë edhe derën hyrëse që u bë edhe temë debati për pak kohë”, u shpreh kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo.
Filo theksoi se restaurimi nuk ka pasur në fokus vetëm ndërhyrjen fizike në godinë, por edhe rikthimin e saj në funksion të brezit të ri. Biblioteka do të jetë e orientuar veçanërisht drejt fëmijëve deri në moshën 15-vjeçare.
“Pra kemi mundur ta restaurojmë këtë godinë në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi është realisht një godinë pjesë e identitetit dhe trashëgimisë tonë kulturore. Dhe nga ana tjetër, po aq e rëndësishme sa restaurimi e rikonstruksioni i godinës, është edhe rivitalizimi. Pra mënyra se si ne këtë godinë tashmë të rikonstruktuar duam ta vëmë në funksion të fëmijëve, të grupmoshës deri në 15 vjeç”, tha ai.

Krahas bibliotekës tradicionale dhe librave fizikë, hapësira e re synon t’u krijojë fëmijëve mundësi për të marrë njohuri edhe në fushën e teknologjisë. Qëllimi është që leximi dhe edukimi tradicional të ndërthuren me aftësitë që kërkon bota digjitale.
“Duke u ofruar jo vetëm shërbimin e një biblioteke tradicionale me libra fizikë, por edhe mundësinë që këta fëmijë të marrin njohuri dhe aftësi digjitale. Ju e dini që ne prej vitesh po i kushtojmë një vëmendje fushës së digjitalizimit edhe të përcjelljes të njohurive të kësaj fushe, sidomos për të rinjtë edhe të rejat, edhe fëmijët padyshim”, shtoi më tej.
Sipas kryebashkiakut, investimi në edukimin digjital të fëmijëve shihet edhe si një mënyrë për t’u krijuar atyre më shumë mundësi në të ardhmen, duke synuar që njohuritë e fituara t’i përdorin edhe për zhvillimin profesional pa u larguar nga qyteti.

“Mendojmë që e ardhmja i takon botës digjitale dhe sa më shpejt e sa më mirë ne t’i përgatitim fëmijët edhe të rinjtë tanë, aq më tepër ata do të jenë të suksesshëm në botën e së ardhmes, dhe aq më tepër rriten shanset që, siç e tha edhe ambasadori, ata të qëndrojnë, t’i shfrytëzojnë këtë njohuri, këtë aftësi që ne po përpiqemi t’u japim, duke siguruar të ardhura më të mira për veten e tyre, por pa u larguar nga qyteti i Korçës”, tha Filo.
Në ceremoninë e inaugurimit ishte i pranishëm edhe ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti. Ai e cilësoi projektin një shembull konkret të bashkëpunimit mes dy vendeve, duke vënë në dukje mbështetjen përmes programit IACS, pjesë e programit të qeverisë italiane për konvertimin e borxhit.
“Mendoj se kjo ceremoni e përurimit të sallës së rishtrukturuar të bibliotekës është një iniciativë e bukur, e realizuar në bashkëpunim me IACS-ën, që është një program i qeverisë italiane të konvertimit të borxhit, në bashkëpunim me kryetarin e Bashkisë së Korçës dhe Bashkinë e Korçës”, u shpreh ambasadori Alberti.

Ambasadori e vuri theksin tek rëndësia që kanë investimet tek fëmijët, duke e lidhur hapësirën e re me të ardhmen e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë.
“Mendoj që është një projekt shumë i rëndësishëm dhe mjafton të shikoni fytyrat e buzëqeshura e të lumtura të fëmijëve që janë e ardhmja e këtij vendi, e ardhmja e bashkëpunimit mes dy vendeve tona, pra Italisë dhe Shqipërisë, dhe ku përputhen dhe ku përqafohen analogia me digjitale që përbëjnë edhe të ardhmen”, tha Alberti.
Përfaqësuesi i diplomacisë italiane theksoi gjithashtu se bashkëpunimi mes dy vendeve nuk duhet të përqendrohet vetëm në kryeqytet, por të shtrihet edhe në qytete të tjera të vendit.
“Diplomacia nuk zhvillohet dhe nuk realizohet vetëm në kryeqytetin e një vendi, por është e rëndësishme që të përfshihet i gjithë territori i atij vendi në mënyrë që të thellohet edhe bashkëpunimi mes dy vendeve të caktuara, në këtë rast mes Shqipërisë dhe Italisë”, shtoi ambasadori.

Me rikonstruksionin e godinës dhe krijimin e hapësirave të reja, biblioteka “Thoma Turtulli” synon të rikthehet në një pikë të rëndësishme të jetës kulturore dhe edukative të fëmijëve në Korçë, duke bashkuar librin, edukimin dhe teknologjinë në një hapësirë të vetme


