Qetësia publike dhe zhvillimi i biznesit duhet të ecin së bashku.
Mbrojtja nga ndotja akustike është një detyrim që na përket të gjithëve dhe askush nuk e vë në diskutim nevojën për të garantuar qetësinë dhe cilësinë e jetës së qytetarëve. Por, njëkohësisht, çdo rregull apo kufizim që prek aktivitetin e bizneseve duhet të mbështetet në argumente të qarta teknike e shkencore dhe të jetë i zbatueshëm në praktikë.
Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtojmë një ekuilibër të drejtë mes interesit publik, zhvillimit ekonomik dhe respektimit të ligjit.
Ditët e fundit kam zhvilluar biseda me shumë biznese të qytetit, të cilat kanë ngritur shqetësime dhe kanë kërkuar sqarime lidhur me ndryshimet e fundit të Udhëzimit nr. 2, datë 15.11.2023, për nivelet kufi të zhurmës.
Pyetja që më është drejtuar më shpesh është: mbi çfarë baze teknike dhe shkencore është përcaktuar niveli kufi prej 45 dB(A)? Sinqerisht, edhe unë do të doja t’u jepja një përgjigje të argumentuar.
Për këtë arsye, do të ishte me shumë vlerë që ekspertët e ministrive që kanë hartuar këtë udhëzim të bënin publike studimet, standardet dhe metodologjinë mbi të cilën janë mbështetur për përcaktimin e këtij niveli. Një sqarim i tillë do të ndihmonte jo vetëm bizneset, por edhe institucionet që do ta zbatojnë këtë akt, duke shmangur paqartësitë dhe interpretimet e ndryshme.
Bizneset e Korçës kanë treguar ndër vite përgjegjësi dhe qytetari në respektimin e rregullave për ndotjen akustike. Rastet e ankesave nga qytetarët kanë qenë të kufizuara dhe, në përgjithësi, është ruajtur një ekuilibër i mirë mes aktivitetit ekonomik dhe qetësisë publike.
Besoj se dialogu dhe transparenca janë mënyra më e mirë për të ndërtuar besim. Kur vendimet shoqërohen me argumente të qarta dhe të bazuara në standarde të pranuara, zbatimi i tyre bëhet më i lehtë dhe më i drejtë për të gjithë.


