Projektligji “Për Liceun Francez të Korçës” ka mbërritur në Kuvendin e Shqipërisë dhe pritet të miratohet brenda pak javësh. Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i cili e ka cilësuar këtë zhvillim si një lajm të mirë për Korçën dhe të rinjtë e rajonit.
Përmes një postimi, Peleshi shprehet se rikthimi i Liceut Francez pas një shekulli në ndërtesën e tij historike përbën një moment të veçantë për qytetin dhe arsimin.
Sipas tij, ky institucion pritet t’u japë mundësi të reja arsimimi të rinjve nga Korça dhe i gjithë rajoni.
Në mesazhin e tij, kryetari i Kuvendit ka shprehur gjithashtu mirënjohje për filantropin Thoma Turtulli, i cili i dhuroi qytetit ndërtesën e Liceut Francez.
Rikthimi i këtij institucioni synon të ringjallë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë arsimore dhe kulturore të Korçës, qytetit që prej dekadash njihet për traditën e tij në arsim dhe kulturë.


