Forca dhe stabiliteti i një kompanie sigurimesh lidhet ngushtë edhe me risiguruesit ndërkombëtarë me të cilët ajo bashkëpunon. Sa më prestigjiozë të jenë këta partnerë, aq më e lartë është siguria dhe besueshmëria për klientët. Në këtë drejtim, SIGAL Insurance Group dallon në tregun rajonal, duke bashkëpunuar me disa nga liderët më të mëdhenj botërorë të industrisë së risigurimeve.
Në terma të thjeshtë, risiguruesit janë kompani globale që marrin në sigurim kompanitë rajonale ose kombëtare të sigurimeve, duke garantuar mbulim financiar edhe në rastet më të mëdha të dëmeve. Sipas drejtuesve të SIGAL, të gjitha portofolet e kompanisë janë të mbuluara nga partnerë ndërkombëtarë me reputacion të lartë.
“SIGAL, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, i ka të risiguruara të gjitha portofolet e tij duke garantuar vlera të siguruara edhe mbi 500 milionë euro. Jemi gjithashtu të gatshëm të përballojmë edhe shuma që kalojnë miliarda euro të siguruara”, deklaroi CEO i kompanisë, Avni Ponari, për mikrofonët e Ora News.
Sipas tij, SIGAL ka marrëveshje me disa nga kompanitë më prestigjioze të risigurimeve në botë, mes të cilave Swiss Re, Hannover Re, Munich Re dhe Lloyd’s. Këto partneritete sigurojnë mbulim maksimal dhe standarde ndërkombëtare për produktet e sigurimit që ofron kompania.
Nga këndvështrimi i klientit, një portofol i mbështetur nga risigurues prestigjiozë nënkupton garanci për pagesën e dëmeve, mbrojtje edhe në skenarët më ekstremë, stabilitet financiar të kompanisë, si dhe mundësi për mbulim në nivelet më të larta dhe edhe jashtë Shqipërisë. Gjithashtu, këto bashkëpunime sjellin shkëmbim ekspertize dhe përmirësim të vazhdueshëm në menaxhimin e riskut.
“Ne jemi këtu për të garantuar çdo qytetar për çdo lloj sigurimi dhe për çdo risk që ata duan të transferojnë tek ne. Riskun e përcakton klienti. Ne e marrim përsipër dhe e kompensojmë financiarisht në rast dëmi”, theksoi Ponari.
Vetëm gjatë vitit 2025, për të siguruar bashkëpunimin me risiguruesit më të mëdhenj në botë, SIGAL Insurance Group pagoi rreth 16 milionë euro në kontrata risigurimi. Ndërkohë, në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut kompania ka paguar rreth 50 milionë euro dëme për klientët, duke përfaqësuar rreth një të gjashtën e totalit të dëmeve të paguara nga industria e sigurimeve në rajon.
Sipas drejtuesve të kompanisë, pikërisht bashkëpunimi me liderët botërorë të risigurimeve është një nga arsyet kryesore pse paketat e sigurimit të SIGAL nuk ndryshojnë nga ato që ofrohen në tregjet perëndimore, si për nga cilësia, ashtu edhe për nga niveli i mbulimit.


