Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, po zhvillon një vizitë zyrtare në Athinë, ku është pritur nga Presidenti i Parlamentit të Greqisë, Nikitas Kaklamanis. Takimi u fokusua në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke, integrimin europian të Shqipërisë dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh.
Gjatë bisedimeve, dy zyrtarët vlerësuan marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, të mbështetura në partneritetin strategjik, bashkëpunimin në NATO dhe perspektivën e përbashkët europiane. Ata theksuan rëndësinë e dialogut politik dhe parlamentar për të çuar përpara bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët.
Peleshi shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Greqia i ka dhënë procesit të integrimit europian të Shqipërisë, ndërsa nënvizoi objektivin e vendit për përfundimin e negociatave me Bashkimin Europian deri në vitin 2027.
Nga ana e tij, Kaklamanis rikonfirmoi mbështetjen e Athinës për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke theksuar se bashkëpunimi parlamentar mund të hapë mundësi të reja për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në takim u diskutua gjithashtu për rritjen e shkëmbimeve tregtare, investimeve, projekteve infrastrukturore dhe turizmit, duke evidentuar potencialin për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe komunitetit shqiptar në Greqi dhe minoritetit grek në Shqipëri. Peleshi i cilësoi ato si ura të rëndësishme lidhëse mes dy vendeve dhe dy popujve.
“Dy urat më të rëndësishme që lidhin vendet tona janë minoriteti grek në Shqipëri dhe komuniteti shqiptar në Greqi. Mbi këto vlera duam të ndërtojmë më shumë prosperitet dhe bashkëpunim”, u shpreh ai.
Të dy kryetarët e parlamenteve riafirmuan angazhimin për forcimin e partneritetit strategjik, duke theksuar rëndësinë e dialogut, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit për sigurinë, stabilitetin rajonal dhe paqen.
Në këtë vizitë zyrtare, Peleshi shoqërohet nga deputetët Anila Denaj, Vasil Llajo, Pirro Dhima, Ivi Kaso, Vangjel Dule dhe Ilirjan Pendavinji, si dhe nga ambasadorja e Shqipërisë në Greqi, Luela Hajdaraga.


