Pika e kalimit kufitar në Qafë Thanë vijon të përballet me fluks dhe radhë të gjata automjetesh, duke krijuar pritje me orë të tëra për hyrje-daljet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ajo që u prezantua si një lehtësi përmes nismës “Open Ballkan”, sipas qytetarëve dhe autoriteteve lokale, po rezulton problematike sidomos në prag të sezonit veror.
Kryetari i Bashkisë së Pogradec, Ilir Xhakolli, u shpreh se situata në Qafë Thanë është shqetësuese dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.
Sipas tij, sistemi i ri në vend që të lehtësojë lëvizjen e lirë, ka sjellë më shumë vështirësi për qytetarët dhe turistët, ndërsa paralajmëroi se me nisjen e sezonit turistik situata mund të rëndohet edhe më tej.
Ndërkohë, në prag të sezonit veror, Bashkia e Pogradecit bën me dije se këtë vit do të ketë më shumë hapësira publike sesa private në zonat bregliqenore. Edhe këtë sezon do të ofrohen çadra falas për pushuesit, përfshirë persona me aftësi ndryshe, si edhe shërbim me roje plazhi për të garantuar siguri dhe mbarëvajtje gjatë verës.
Operatorët turistikë raportojnë se prenotimet kanë nisur herët, kryesisht nga pushues vendas nga Tirana dhe Durrësi, por edhe nga turistë të huaj, veçanërisht nga Gjermania, Greqia dhe Franca. Sipas tyre, vera pritet të jetë e ngarkuar dhe me interes të lartë për qytetin liqenor.
Pogradeci pritet të çelë zyrtarisht sezonin turistik më 6 qershor, ndërsa bashkia premton një kalendar të pasur aktivitetesh artistike dhe kulturore gjatë gjithë verës.


