KORÇË – Ka nisur sot në Korçë edicioni i 20-të i Festës së Birrës, një prej eventeve më të mëdha artistike dhe turistike në Shqipëri. Për herë të parë, festa zhvillohet në një tjetër hapësirë, në Polin e Eventeve në Drenovë, i cili është hapur për publikun në kuadër të këtij eventi.
Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, e cilësoi 20-vjetorin si një moment të veçantë, ndërsa vlerësoi edhe ndërtimin e Polit të Eventeve si një investim të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit dhe organizimin e aktiviteteve të mëdha.
“Janë 20 vite ku kjo festë është rritur dhe është bërë sot një nga eventet më të mëdha në Shqipëri”, u shpreh Filo, duke shtuar se Poli i Eventeve do të jetë në funksion jo vetëm të Festës së Birrës, por edhe të aktiviteteve të tjera gjatë vitit.
Organizatorët kanë paralajmëruar një program të pasur artistik. Sipas organizatores artistike, Migena Shehaj, në event janë të pranishme mbi 15 marka birrash, ndërsa skena është pajisur me teknologjinë më të fundit të zërit dhe ndriçimit.
Festivali do të zgjasë 5 net, me pjesëmarrjen e artistëve shqiptarë dhe grekë, si dhe me elementë të rinj teknologjikë dhe surpriza gjatë hapjes.
Interesi për eventin është i lartë, ndërsa hotelet dhe bujtinat në Korçë janë pothuajse tërësisht të rezervuara, duke sjellë një fluks të shtuar vizitorësh në qytet.


