Një monument kulture i kategorisë së parë në qarkun e Korçës rrezikon shembjen totale për shkak të degradimit dhe mungesës së ndërhyrjes institucionale. Bëhet fjalë për Kullën fushore të Turanit, një ndërtim i shekullit XVIII, e vetmja e këtij lloji që ka mbijetuar në juglindje të vendit.
Degradimi i monumentit ka nisur që në vitin 2014, ndërsa muajt e fundit situata është përkeqësuar ndjeshëm, duke sjellë edhe shembjen e një pjese të rëndësishme të strukturës. Aktualisht, kulla rrezikon të rrënohet plotësisht, duke përbërë edhe rrezik për jetën e banorëve, pasi ndodhet brenda oborrit të një familjeje.
Kryeplaku i fshatit Turan, Ilir Skënderasi, shprehet se shqetësimi është ngritur prej vitesh në të gjitha nivelet institucionale:
“Me kalimin e viteve ka filluar të degradohet, fillimisht u hapën muret, më pas ra çatia. Nga ana jonë është bërë shqetësim, është dërguar edhe pranë Drejtorisë së Monumenteve të Kulturës dhe deri në ministri. Këto ditë e shihni vetë gjendjen. Është monument kulture i kategorisë së parë, i shekullit të 18-të dhe po bie nga dita në ditë.”
Sipas tij, nëse nuk ndërhyhet urgjentisht, kulla do të shembet plotësisht:
“Nëse nuk ndërhyhet, bie fare. Janë vënë në dijeni edhe autoritetet vendore, por ndërhyrja ende nuk ka ndodhur. Është për keqardhje, sidomos kur turistët tregojnë interes për këtë monument unik. Çfarë do të shohin ata, rrënimin?”
Ndërkohë, Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës i ka bërë me dije Euronews Albania se ekziston një projekt për restaurimin e Kullës së Turanit, por mungesa e fondeve e ka bërë të pamundur zbatimin e tij.
Banorët dhe autoritetet lokale kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur humbjen e një pasurie të rrallë kulturore dhe historike.




