Unioni për Vendlindjen Curraj i Epërm ka dalë me një deklaratë publike, ku shpreh shqetësimin për ndërhyrjet që po kryhen në shtratin e Lumit Curraj, në krahinën e Nikaj-Mërturit.
Përfaqësuesit e unionit akuzojnë mungesën e transparencës dhe të konsultimit me banorët, ndërsa u bëjnë thirrje institucioneve të pezullojnë çdo punim deri në zhvillimin e një procesi të hapur dhe gjithëpërfshirës me komunitetin dhe ekspertët.
DEKLARATË PUBLIKE
Në emër të Unionit për Vendlindjen Curraj i Epërm
Për mbrojtjen e Lumit Curraj- Mërtur dhe respektimin e të drejtës së komunitetit për t’u dëgjuar me moton: “Kur hesht komuniteti, humbet natyra. Kur dëgjohet komuniteti, fiton e ardhmja.”
Ne, përfaqësues të Unionit për Vendlindjen Curraj i Epërm, shprehim shqetësimin tonë të thellë dhe kundërshtimin e vendosur ndaj ndërhyrjeve që po kryhen në shtratin e Lumit Curraj, në krahinën e Nikaj-Mërturit, pa një proces të qartë transparence, pa konsultim me komunitetin vendas dhe pa një debat të hapur publik mbi pasojat që këto projekte mund të sjellin për mjedisin, trashëgiminë natyrore dhe jetën e banorëve.
Lumi i Currajt nuk është thjesht një rrjedhë ujore. Ai është pjesë e identitetit historik, kulturor dhe natyror të krahinës sonë. Është pasuri kombëtare, burim jete, biodiversiteti dhe zhvillimi të qëndrueshëm, që duhet të mbrohet me përgjegjësi dhe vizion afatgjatë.
Ne besojmë se çdo projekt zhvillimor duhet të mbështetet mbi parimet e shtetit të së drejtës, të transparencës, të pjesëmarrjes së publikut dhe të mbrojtjes së mjedisit. Çdo vendimmarrje që prek drejtpërdrejt jetën e komunitetit nuk mund të merret pa dëgjuar zërin e tij.
Prandaj u bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse:
• Të pezullojnë çdo ndërhyrje derisa të garantohet një proces i plotë, transparent dhe gjithëpërfshirës.
• Të zhvillojnë dëgjesa publike reale me banorët, ekspertët e mjedisit, organizatat e shoqërisë civile dhe grupet e interesit.
• Të bëjnë publike të gjitha dokumentet ligjore, studimet e ndikimit në mjedis dhe lejet përkatëse.
• Të respektojnë të drejtën kushtetuese të qytetarëve për informim, konsultim dhe pjesëmarrje në vendimmarrje.
• Të vendosin mbrojtjen e trashëgimisë natyrore mbi çdo interes afatshkurtër ekonomik.
Ky nuk është një reagim kundër zhvillimit. Përkundrazi, ne mbështesim zhvillimin e përgjegjshëm, të qëndrueshëm dhe në harmoni me natyrën, ligjin dhe interesin publik. Zhvillimi nuk mund të ndërtohet duke anashkaluar komunitetin dhe duke cënuar pasuritë natyrore që u përkasin brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë.
U bëjmë thirrje gjithë banorëve të Nikaj-Mërturit, Currajve, Tropojës, studiuesve, ambientalistëve, mediave dhe çdo qytetari që beson në mbrojtjen e natyrës dhe të demokracisë pjesëmarrëse, të bashkojnë zërin për mbrojtjen e Lumit Curraj-Mërtur.
Lumi Curraj-Mërtur nuk është pronë e askujt; ai është trashëgimi e përbashkët. Ta mbrojmë sot, që ta gëzojnë edhe brezat që do të vijnë.
Unioni për Vendlindjen Curraj i Epërm


