Tregtarët e tregut të pakicës, në afërsi të Pazarit të Vjetër të Korçës, kanë protestuar sot për mungesën e infrastrukturës në zonën ku prej vitesh ushtrojnë aktivitetin e tyre. Ata shprehen se situata është e njëjtë prej më shumë se dy dekadash dhe se kushtet e tregtimit janë tejet të vështira, sidomos gjatë stinës së dimrit.
Sipas tregtarëve, rruga dhe hapësirat ku operojnë shndërrohen në baltë sa herë bie shi, duke krijuar probleme për bizneset, furnizimet dhe klientët, përfshirë turistët që vizitojnë Pazarit e Vjetër.
Tregtarët shprehen:
- “Problemi ynë është ky. Kemi 22 vite me të njëjtin problem. Nja dy herë e shtrojnë me zavorr, por ikën me shiun. Dimri është katastrofë, siç e shihni. Këtu janë dy supermarkete, turistë ka plot, por çfarë të shohin? Po ra shi, nuk hyn dot njeri.”
- “100-150 biznese preken nga kjo rrugë. Kjo është qendra e Pazarit. Duhet të shtrohet rruga, asgjë më shumë.”
- “Problemi dihet. Të premte e të shtunë turistët duhet të hyjnë me çizma. Turp i Zotit. Këtu janë të gjitha biznese taksapaguese. Pse të mos bëhet rruga? Ky është tregu i frutave, perimeve, peshkut, mishit… edhe tregu i baltës.”
Të kontaktuar nga redaksia, drejtues të Bashkisë Korçë bëjnë me dije se projekti për rivitalizimin e kësaj zone tregtare është gati prej kohësh, por ende nuk janë siguruar fondet e nevojshme për nisjen e punimeve.
Tregtarët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, duke theksuar se situata jo vetëm dëmton bizneset, por edhe imazhin turistik të Pazarit të Vjetër, një prej zonave më të vizituara të qytetit.




