Më 6 qershor, Korça do të mirëpresë një nga ngjarjet më të dashura dhe më të shumëpritura të qytetit, Festivalin Ndërkombëtar të Karnavalit, i cili shënon edhe nisjen zyrtare të sezonit veror.
Në edicionin e 19-të të festivalit, qyteti do të mbushet me ngjyra, muzikë dhe atmosferë festive, ndërsa grupe artistike dhe pjesëmarrës nga Greqia, Rumania, Serbia, Polonia dhe komuniteti Arbëresh do t’i bashkohen festës, duke sjellë tradita dhe kultura të ndryshme në zemër të Korçës.
Aktivitetet do të nisin që në orët e paradites, me performanca dhe animacione në pika të ndryshme të qytetit. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe fëmijëve, të cilët në ambientet e Qendrës Rinore do të kenë mundësinë të marrin pjesë në aktivitete argëtuese, face painting dhe surpriza të shumta.
Momenti kulmor i festivalit do të jetë parada tradicionale e karnavaleve, e planifikuar të nisë në orën 19:00 nga Lëndina e Lotëve. Parada do të përshkojë rrugët kryesore të qytetit me kostume shumëngjyrëshe, muzikë dhe performanca artistike. Për herë të parë, pjesë e këtij edicioni do të jenë edhe gratë e diasporës shqiptare nga Athina, duke i dhënë festivalit një dimension të ri kulturor dhe shoqëror.
Pas përfundimit të paradës, festa do të zhvendoset në Pazarin e Vjetër, ku do të organizohet “Carnival Party” me muzikë live, DJ dhe një atmosferë festive që pritet të zgjasë deri në orët e vona të natës.
Karnavalet shënojnë vetëm nisjen e një kalendari të pasur aktivitetesh verore në Korçë. Gjatë muajve në vijim, qyteti do të mirëpresë evente të njohura si Korça Moto & Rock Festival, Lumina Electronic Festival, Korça Beer Fest, Korça Serenades dhe shumë aktivitete të tjera kulturore e artistike, që çdo vit tërheqin mijëra vizitorë vendas dhe të huaj.
Me një program të larmishëm dhe një atmosferë unike, Korça synon të mbetet edhe këtë verë një nga destinacionet më të preferuara turistike në Shqipëri.


