Këshilli Bashkiak i Korçës ka miratuar me shumicë votash propozimin për ndryshimin e ndarjes administrative-territoriale, që parashikon bashkimin e Bashkisë së Korçës me Bashkinë e Maliqit.
Para mbledhjes së këshillit janë zhvilluar dëgjesa publike me banorët e njësive administrative, ku është marrë edhe mendimi i qytetarëve. Sipas kryetarit të grupit të këshilltarëve të majtë, Petrika Tollkuçi, rreth 75% e banorëve janë shprehur pro reformës.
Gjatë diskutimeve, këshilltarët e opozitës janë shprehur kundër bashkimit, duke kërkuar konsultim më të gjerë me qytetarët dhe analiza të plota mbi ndikimin që ndryshimi do të ketë për të dyja bashkitë.
Ndërkohë, këshilltarët e mazhorancës kanë mbështetur propozimin, duke e konsideruar atë një mundësi për administrim më efikas dhe zhvillim të përbashkët të territorit.
Në përfundim të mbledhjes, Këshilli Bashkiak i Korçës votoi 25 vota pro dhe 5 kundër bashkimit me Maliqin.


