Nga Vangjel Simaku
Dikur e njihnin të gjithë. Sot pak njerëz në Korçë e jashtë saj dinë për të. Ai ishte një nga filantropët më të mëdhenj që ka nxjerrë kombi shqiptar, shembull që duhet ndjekur edhe sot nga kushdo.
Ishte bamirësi që i dhuroi Korçës, qytetit më të kulturuar të Shqipërisë: bibliotekën, kinemanë, liceun, spitalin dhe jetimoren. Filantropi shpëtoi nga vdekja e sigurt me dhjetëra njerëz, por jo veten.
Ai përgatiti pajën e shumë familjeve të vobekta korçare dhe fitoi dashurinë e simpatinë e mijëra zemrave. Por nur varrezat e Korçës u zhvendosen nga kisha e Shën Mërisë, u prish në mënyrë barbare varri monumental i kësaj familje të shquar dhe eshtrat e tij nuk dihet ku përfunduan.
Urrejtja bëri që një nga filantropistët më të njohur e të mëdhenj në Ballkan e më gjerë, të mos ketë sot as varr.
Thoma Turtulli ishte me origjinë nga Vithkuqi, dikur një qytet i madh me shumë lagje, kisha e shkolla, që rivalizonte Voskopojën. Por njësoj, si Voskopoja dhe Vithkuqi u dogjën dhe u grabitën tre herë. Zjarrvënësit ishin po të njëjtët.
Familja Turtulli u zhvendos në Korçë dhe u bë një prej familjeve më të njohura tregtare të kohës. Thoma Turtulli e kompania e tij zhvillonte tregti me Durresin, Shkodrën, Tiranën, dhe me Selanikun, Manastirin e Stambollin.
Shumë shpejt ai iu përkushtua punëve të mëdha filantropike, për ta bërë Korçën, shembull të një qyteti europian.
Më 25 dhjetor 1927-ë, çeli dyert kinemaja “Majestic”, një La Scala e vogël në zemër të qytetit. Kjo kinema e bukur u ngrit nga Kompania Anonime Shqiptare “Cinemato”, e krijuar prej Thoma Turtullit e miqve të tij.
Ai i dhuroi qytetit arsimdashës të Korçës, bibliotekën, duke parë etjen e madhe për dije të korçarëve. Në qytetin tonë e rreth tij, ekzistonin shumë libra nga bibliotekat e dikurshme të Voskopojës, Vithkuqit e vetë Korçës si dhe të sjella dhe nga shoqëria “Vatra” e SHBA.
Biblioteka e bukur e Korçës, e inauguruar më 1930-ën, numëronte rreth 30000 libra, asaj kohe.
Korçës së kulturës, Turtulli i dhuroi edhe liceun, këtë vatër dije, brenda e jashtë Shqipërisë.
Kurse spitali i qytetit u inaugurua me 1934-ën. Pas përfundimit të tij bashkëshortja e Thoma Turtullit, Athinaja, i dhuroi shtetit 40.000 franga ari për ndërtimin edhe të shkollës industriale.
Thuhet se Thoma Turtulli ndiqte vetë punimet për ndërtimin e spitalit dhe atje u sëmur nga bronkopneumonia. Megjithëse u sollën enkas nga Selaniku mjekët më të mirë, ai nuk shpëtoi dot.
Veprat e këtij bamirësi të madh edhe sot shkëlqejnë në Korçën tonë dhe janë shprehje e frymës evropiane që mbolli në këtë qytet, Thoma Turtulli e filantropë të tjerë me emër.