Close Menu
Bufi UrteBufi Urte
    What's Hot

    Kufoma e dekompozuar në Kolonjë, trupi dërgohet për ekspertizë në morgun e Tiranës! Asnjë i afërm i interesuar për viktimën

    July 7, 2025

    E rëndë në Kolonjë! Gjendet trupi i dekompozuar i një personi, dyshohet se…

    July 7, 2025

    Gjoka: Boshti i Skënderbeut ai i sezonit të kaluar, presim afrime

    July 7, 2025
    Facebook X (Twitter) Instagram
    • Na kontaktoni
    • Punesim
    • Marketing
    Facebook Instagram
    Bufi UrteBufi Urte
    • Home
    • Vendi
    • Rajoni
    • Evropa
    • Bota
    • Kulture
    • Jetese
    • Sport
    Bufi UrteBufi Urte
    Home » “Greko-Shqiptaria në Formim: Identiteti i Ri i Fëmijëve të Emigrantëve Shqiptarë në Greqi” – intervistë me profesorin grek Dimitris Christopolous
    Vendi

    “Greko-Shqiptaria në Formim: Identiteti i Ri i Fëmijëve të Emigrantëve Shqiptarë në Greqi” – intervistë me profesorin grek Dimitris Christopolous

    June 17, 2025
    Facebook WhatsApp Copy Link
    Share
    Facebook WhatsApp Copy Link

    Intervistë me profesorin e Universitetit Panteion (Greqi) Dimitris Christopoulos

    Idenë e profesorit të shkencave politike në Universitetin Panteion për një identitet të ri, që është njëkohësisht shqiptar dhe grek dhe që ka të bëjë me fëmijët e emigrantëve shqiptarë të lindur e të rritur në Greqi, e dëgjuam për herë të parë në një video shumë interesante të kanalit “24/7”, nga realizimi i së cilës kanë kaluar tashmë katër vjet.
    Qysh atëherë, Christopoulos përpiqet të vendosë në drejtimin e duhur këtë çështje dhe duket se ai po arrin diçka. Përveç shkrimeve të tij akademike, ai është iniciatori dhe përgjegjësi shkencor i një filmi nën regjinë e Ilir Tsoukos dhe prodhim i Fondacionit “Onassis”, që trajton pikërisht këtë identitet të ri. Filmi “ Dhe El dhe Al” realizoi premierën e tij në Festivalin e Filmit të Selanikut dhe ka filluar tashmë udhëtimin e tij drejt festivaleve të tjera ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, Christopoulos është përgjegjës akademik i një programi të Fondacionit Grek për Kërkimin dhe Inovacionin me titull “Një përkatësi greko-shqiptare në formim”, i cili realizoi një përmbledhje të parë në Universitetin Panteion pak ditë më parë, ndërsa këtë të premte do të organizohet një konferencë në kuadër të tij për këtë temë në Korçë.
    Në kuadër të konferencës do të shfaqet edhe një “avant-premierë” e filmit “Dhe El dhe Al” në gjuhën shqipe dhe angleze, me titull “Albgreco”, para se të bëhet premiera zyrtare e tij në Festivalin e Tiranës në shtator. Për të gjitha këto ne zhvilluam një intervistë me të.

    Ballkan Desina

    A mund të filloj me një pyetje të përgjithshme në fushën e koncepteve? Identitetet i kemi apo i krijojmë?
    Nuk kemi asgjë përveç kodit tonë gjenetik. Nëse dikush beson se të jesh grek apo shqiptar, anglez apo pakistanez është diçka e përcaktuar nga ai kod, atëherë do të jetë e vështirë të bëjmë një diskutim. Identitetet – ose më saktë, përkatësitë – i formësojmë duke ndërtuar personalitetin tonë. Por këto identitete nuk janë flutura që i mbledhim sipas dëshirës. Nganjëherë madje na imponohen në mënyrë të detyruar. Askush nuk na pyeti as mua e as ju se si donim të na quajnë, as nëse donim të pagëzohemi. Prandaj, identitetet janë një spektër përkatësish që njerëzit nuk i zgjedhin lirshëm – edhe nëse ndonjëherë kështu duket – por u imponohen nga hapësira dhe koha ku jetojnë.

    Në vitin 2020 – pesë vjet më parë – u realizua në kanalin “24/7” dokumentari “E pastra e re”. Ishte hera e parë që përmendët ndërtimin e një identiteti greko-shqiptar? Çfarë ka ndryshuar që atëherë?
    Asgjë e veçantë. Thjesht, me kalimin e kohës, bëhet gjithnjë e më e kuptueshme – edhe për ata që dikur e shihnin idenë e grekoshqiptarisë si diçka ekzotike – se gjërat në fakt po shkojnë në atë drejtim. Por kjo nuk është surprizë. Kështu ndodh kudo ku shkojnë emigrantët: si ata vetë, ashtu edhe fëmijët e tyre, përvetësojnë kode të vendit pritës, dhe kështu kemi greko-gjermanë, greko-amerikanë e kështu me radhë.
    Nëse ka ndryshuar diçka nga atëherë, është se kjo përkatësi e re po forcohet gjithnjë e më shumë dhe, mbi të gjitha, po legjitimohet më lehtësisht në sferën publike. Para 20 vjetësh, në një konferencë në Panteion, përdora fjalën “greko-shqiptar” dhe një profesoreshë më korrigjoi duke më thënë se kjo nuk ekziston. Nuk e di nëse do të më korrigjonte edhe sot…

    Si ishte të flisje për “grekoshqiptarinë” njëzet vjet më parë, kur në Greqi dominonte ende slogani “O shqiptar, ti nuk do të bëhesh kurrë grek”?
    Pikërisht këtë dua të them. Atëherë ishte më e vështirë, sepse një mendim i tillë vinte në kundërshtim me një ide mbizotëruese në Greqi: atë se kombi grek është diçka monolite dhe historikisht e pathyeshme. Diçka e pandryshueshme dhe e dhënë njëherë e përgjithmonë. Megjithatë, nëse ka diçka që njeriu kupton duke shqyrtuar identitetet kombëtare – si edhe çdo lloj tjetër identiteti – është se ato janë takime të vazhdueshme që ndodhin pa pushim në ndërgjegjen e vetë njerëzve, dhe për këtë arsye kanë një karakter dinamik. Përvoja e emigracionit pas Luftës së Ftohtë në Greqi ka qenë shumë e rëndësishme për të rishikuar atë ide se “ti shqiptar nuk do të bëhesh kurrë grek”.

    A është hera e parë që ndërtohet një identitet i tillë hibrid mes grekëve dhe shqiptarëve?

    Jo! Dhe pikërisht kjo është veçantia e kësaj historie. Deri në fund të shekullit të 19-të, para krijimit të kombit shqiptar, shqiptarët ortodoksë të krishterë që jetonin në territorin grek u bënë Arvanitas. Pas Luftës së Dytë Botërore, një pjesë e rëndësishme e grekëve të Shqipërisë, kryesisht ata nga Dropulli, u integruan në narrativën kombëtare të Shqipërisë së Enver Hoxhës, e për rrjedhojë pakica greke furnizoi shtetin shqiptar me funksionarë të lartë, ushtarakë, diplomatë e të tjerë. Në njëfarë kuptimi, atëherë këta grekë u bënë shqiptarë. Pra, mund të themi se ajo që vërejmë sot nuk është diçka e re apo e paprecedentë. Kështu ndodh kur popujt jetojnë pranë njëri-tjetrit.

    Si e shohin grekët e Shqipërisë këtë koncept grekoshqiptarie?
    Ashtu si edhe shqiptarët e Greqisë, edhe grekët e Shqipërisë nuk janë një grup homogjen në lidhje me mënyrën se si e kuptojnë identitetin e tyre. Ka grekë që përjetojnë bashkëjetesën e dy identiteteve pa ndonjë konflikt apo konkurrencë.
    Por ka edhe njerëz që nuk e kuptojnë konceptin “edhe – edhe”, dhe besojnë se të jesh një gjë përjashton të qenit tjetra. E njëjta gjë vlen edhe për një pjesë të konsiderueshme të emigrantëve shqiptarë dhe të fëmijëve të tyre në Greqi.

    Ku është më e vështirë të pranohet ky krijim hibrid për të cilin flisni? Në Greqi apo në Shqipëri?
    Më parë ishte më e vështirë në Greqi, sot është në Shqipëri. Por në Greqi, me përvojën e një milion emigrantëve që nga vitet ’90 e në vijim, gjërat kanë marrë rrugën e tyre. Po të na thoshin para 20 vjetësh se dikush si Antetokounmpo është grek, shumë do të kishin buzëqeshur me mosbesim. Por sot, në Greqi është e pranuar që ekziston një komunitet afrikanogrekësh.
    Veçanërisht në rastin e shqiptarëve, ku nuk ka ndonjë dallim të dukshëm mes “nesh” dhe “tyre”, kjo e bën edhe më të lehtë situatën. Megjithatë, në Shqipëri, sot është më e vështirë të pranohet sepse pikëpamjet monolite mbi shqiptarësinë janë më të forta se sa ato që ekzistojnë sot në Greqi. Nga ana tjetër, siç thuhet, “Avash avash shelgu bëhet dash”. Asgjë nuk ndryshon brenda një nate. Ndryshimet e ideve kërkojnë kohë.
    Po të kishte përjetuar Shqipëria në 30 vitet e fundit një situatë ku 10% e popullsisë të ishte emigrantë – siç ndodhi në Greqi – gjërat do të ishin ndryshe.

    Në çfarë mase ndikon marrja e shtetësisë greke në diskutimin për identitetin greko-shqiptar?
    Sigurisht që ndikon. Marrja e shtetësisë greke krijon pritshmëri tek njerëzit. Pritshmëri që nuk i kishin më parë. Ndryshe vepron dikush si qytetar i një vendi, ndryshe si një i huaj. Sidomos në Greqi, ku fatkeqësisht ende nuk është arritur të rregullohen në mënyrë të përhershme lejet e qëndrimit për emigrantët. Është turp që njerëz që jetojnë në Greqi prej 25 vjetësh të jetojnë me certifikata dhe pa leje qëndrimi afatgjata. Kjo, nëse doni, është gjëja më e dhimbshme për këta njerëz dhe zhgënjimi më i madh i administratës greke. Kështu, për disa, shtetësia greke bëhet e vetmja mundësi për t’u legalizuar dhe për të udhëtuar në vende të tjera.

    Si e shihni të ardhmen e këtij identiteti në Greqi? Fëmijët e brezit të tretë, pra nipërit dhe mbesat e emigrantëve që erdhën në vitet ’90, kanë filluar tashmë të lindin fëmijë. Në çfarë drejtimi do të shkojnë ata?
    Nuk mendoj që rasti i emigracionit shqiptar në Greqi do të ndryshojë shumë nga përvoja e komuniteteve të ngjashme në vende të tjera, ose nga emigracioni shqiptar në Itali, për shembull. Kalimi i kohës i largon njerëzit nga vendlindja e tyre. Ky është rregull. Por nga ana tjetër, veçanërisht kur jeta është e vështirë, ideja e “kthimit në rrënjët” është gjithmonë tërheqëse. Kjo vlen kudo.

    Mendoni që kjo bisedë nuk është thjesht “greko-shqiptare”, por lidhet në përgjithësi me situatën e brezit të dytë apo të tretë të emigrantëve në vendet ku kanë lindur ose janë rritur?
    Plotësisht. Besimi që rasti i Greqisë dhe Shqipërisë është diçka e veçantë në krahasim me të tjerat është një narcizëm kombëtar dhe fatkeqësisht prosperon tek shumë grekë dhe shqiptarë. Por kjo është krejtësisht e gabuar. Çdo rast kombëtar ka veçoritë e veta, por asnjë rast nuk është i pamenaxhueshëm. Këto janë gjëra themelore për politikën krahasuese.

    Si e trajton shteti grek ndërtimin e këtij identiteti? A konsiderohet dicka e “pëlqyeshme”?
    Një pjesë e elitave politike greke dhe administratës, duke përfshirë edhe disa konservatorë, e kupton dhe madje e miraton atë. Një pjesë tjetër nuk arrin ta pranojë, dhe një pjesë më e vogël tani ndihet në siklet. Ashtu siç ndiheshin disa të djathtë gjermanë kur fëmijët e gastarbaiters-ve grekë bëheshin gjermanët më të mirë. Kështu ndodh gjithmonë.

    Çfarë roli ka luajtur ndërtimi i këtij identiteti greko-shqiptar në integrimin e brezit të dytë?
    Nuk flasim për “një” identitet, por për një horizont, një gamë përkatësish ku secili gjen vendin që i takon. Ka fëmijë shqiptarësh në Greqi që fshehin prejardhjen e prindërve të tyre. Ka fëmijë që duan ta bëjnë atë të njohur. Të gjitha janë pjesë e paketës. Ashtu si kudo. Gjëja më e rëndësishme është që tani këta fëmijë mund të flasin për veten e tyre. Ky është integrimi. Të kenë fuqinë dhe njohuritë për të qëndruar drejt dhe për të folur. Prindërit e tyre nuk mundnin dhe atëherë duhej që të tjerët të flisnin për ta. Jam shumë i kënaqur që të gjitha grupet kërkimore që kam krijuar përbëhen në shumicë nga grekë-shqiptarë të rinj që tani janë protagonistë. Këta janë e ardhmja dhe ura më e mirë midis dy vendeve. Le ta kuptojmë këtë, sepse është shpenzuar shumë kapital diplomatik midis Greqisë dhe Shqipërisë për të kaluarën. Me gjithë respektin për plagët që ekzistojnë, le t’u japim hapësirë këtyre plagëve që të funksionojnë si kompas dhe jo si pengesa. Kështu ecin përpara shoqëritë.

    Ju udhëtoni vazhdimisht në Shqipëri. Çfarë është ajo që ju tërheq kaq shumë?
    Më tërheq etja për mbijetesë e njerëzve dhe autenticiteti i këtij vendi në aspektin natyror, kulturor dhe shoqëror, që fatkeqësisht po cënohen nga zhvillimi i pakontrolluar turistik.

    Helzag Instagram
    eSIM SIGNAL
    Emigrante interviste profesor
    Share. Facebook WhatsApp Copy Link

    Related Posts

    Kufoma e dekompozuar në Kolonjë, trupi dërgohet për ekspertizë në morgun e Tiranës! Asnjë i afërm i interesuar për viktimën

    July 7, 2025

    E rëndë në Kolonjë! Gjendet trupi i dekompozuar i një personi, dyshohet se…

    July 7, 2025

    Korçë, “hiking” në modë! Ecjet malore dhe turizmi i aventurës gjithnjë e më të preferuara nga banorët dhe vizitorët

    July 7, 2025

    Igli Hasani nga Korça; “Marrëdhënie e shkëlqyer me shtetin grek”

    July 7, 2025
    TE FUNDIT

    Kufoma e dekompozuar në Kolonjë, trupi dërgohet për ekspertizë në morgun e Tiranës! Asnjë i afërm i interesuar për viktimën

    July 7, 2025

    E rëndë në Kolonjë! Gjendet trupi i dekompozuar i një personi, dyshohet se…

    July 7, 2025

    Gjoka: Boshti i Skënderbeut ai i sezonit të kaluar, presim afrime

    July 7, 2025

    Korçë, “hiking” në modë! Ecjet malore dhe turizmi i aventurës gjithnjë e më të preferuara nga banorët dhe vizitorët

    July 7, 2025
    EKSKLUZIVE

    Në fund të sezonit sportiv 2026-2027 përfundon dënimi i Skënderbeut vënë nga komisioni i disiplinës të UEFA

    Pogradec – Mund të kthehej në tragjedi, mjeti përplas karburantin – ja pamjet

    Murtaja e bagëtive, konfirmohet vatra e parë në qarkun e Korçës! 15 krerë të ngordhur

    Advertisement
    eSIM SIGNAL
    Bufi Urte
    Facebook Instagram
    • Vendi
    • Rajoni
    • Evropa
    • Bota
    • Kulture
    • Jetese
    • Sport
    © 2025 Bufi Urte. Designed by Patron Marketing.

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.