Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja ku mbetën të plagosur dy agjentë të Policisë së Drejtorisë Vendore të Korçës gjatë një operacioni antidrogë në zonën e Lumalasit.
Sipas burimeve të siguruara, efektivët e policisë kanë qenë në ndjekje të një automjeti që dyshohej se transportonte lëndë narkotike. Burimet bëjnë me dije se drejtuesi i mjetit, pasi kishte lënë një sasi droge në një lokal në fshatin Lumalas, është nisur drejt qytetit të Korçës.
Në momentin që ka konstatuar automjetin me dy agjentët e policisë, dyshohet se ka goditur qëllimisht mjetin e tyre për t’i shpëtuar ndjekjes.
Si pasojë e përplasjes, dy efektivët kanë mbetur të plagosur. Njëri prej agjentëve është transportuar për mjekim në Tiranë, ndërsa tjetri po merr ndihmë mjekësore në Korçë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin ku dyshohet se u dorëzua lënda narkotike, policia ka gjetur sasi të vogla droge, si edhe një tavolinë pokeri.
Policia ka arrestuar dy persona në total. Në pranga kanë rënë kamarieri i lokalit, si edhe personi që dyshohet se shpërndante lëndën narkotike. Ndërkohë, pronari i lokalit është shpallur në kërkim nga policia.
Burimet shtojnë se gjatë largimit, një sasi e vogël lënde narkotike është hedhur në anë të rrugës.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në aktivitetin kriminal.
Xhenart Laloti drejtues mjeti
Vangjel Dushku kamarieri në lokal, të arrestuar


