Kryetari i Bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu, ka folur për herë të parë për propozimin që Bashkia e Maliqit të bashkohet me Bashkinë e Korçës, në kuadër të reformës së re administrative-territoriale.
Topçiu tha se ende nuk është e qartë se çfarë do të sjellë konkretisht reforma dhe cili do të jetë statusi i qyteteve dhe bashkive, kompetencat, financat dhe mënyra e organizimit të shërbimeve.
Ai theksoi se bashkimi i Maliqit me Korçën nuk do të ishte domosdoshmërisht problem, nëse shërbimet ndaj qytetarëve do të jenë më pranë tyre dhe nëse reforma do të sjellë më shumë investime dhe zhvillim për zonën.
“Ende unë jam i paqartë për atë çfarë do të ndodhë, në kuptimin se çfarë do të ndryshojë nëse do të miratohet kjo reformë e re, cili do të jetë statusi i qyteteve tona, i bashkive tona, i kompetencave, i financave dhe i investimeve. Problematikat janë të gjera dhe kjo nuk mund të thuhet me një po apo me një jo”, u shpreh Topçiu.
Kreu i Bashkisë Maliq tha se po përgatit një material me propozimet dhe shqetësimet e tij, të cilin synon t’ia përcjellë Kuvendit të Shqipërisë.
Sipas tij, projektligji parashikon bashkimin e Bashkisë Maliq me Bashkinë Korçë, ndërsa organizimi i brendshëm do të ndryshonte. Qyteti i Maliqit do të vijonte të kishte organizimin e tij, ndërsa njësitë administrative do të vazhdonin të funksiononin, por në një strukturë të re.
Topçiu theksoi se debati nuk duhet të përqendrohet te pozicioni i kryetarit të bashkisë, por te mënyra se si reforma do të ndikojë te qytetarët.
“Për mua nuk duhet parë bashkia, pozicioni, ky organizim si një moment që duhet të qajmë hallin e një kryetari bashkie. Por duhet të shikojmë sa shërbimet ndaj njerëzve shkojnë më afër, sa u zgjidhen më lehtë, sa Maliqi do të ecë më mirë, sa investime do të marrim më shumë dhe sa do t’u shërbejë qytetarëve. Koncepti është shumë i gjerë”, tha Gëzim Topçiu.
Ai nënvizoi gjithashtu se Bashkia Maliq ka një shtrirje të konsiderueshme territoriale dhe një komunitet të gjerë, duke e bërë të nevojshme një analizë të detajuar të pasojave që mund të sjellë reforma e re administrative-territoriale.


