Gazifikimi i Korçës dhe pista e skive, premtime ende në letër
Një nga premtimet e mëdha të kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Korçës Sotiraq Filo ka qenë gazifikimi i qytetit, një projekt që sipas deklaratave zyrtare pritej të niste brenda vitit 2025 dhe të sillte një alternativë të re ngrohjeje për qytetarët.
Por, edhe pse viti 2025 ka kaluar, aktualisht në terren nuk ka asnjë punim dhe projekti nuk ka arritur ende në fazën përfundimtare.
Sipas gazetares së Faktoje.al, Esmeralda Topi, projekti vijon të mbetet në faza të hershme.
“Ka premtime të pambajtura ndër dekada. Është gazifikimi i Korçës që është përdorur në fushatat e fundit elektorale. Sot që flasim, projekti është ende në fazat e parafizibilitetit. Nuk kemi ende një studim fizibiliteti për Korçën. Qytetarët vazhdojnë të ngrohen me dru. Sot që flasim jemi ende pa studim, pa financim të siguruar dhe pa punime në terren”, shprehet Topi.
Një tjetër premtim i kahershëm lidhet me ndërtimin e një piste të re skish në qarkun e Korçës, projekt i premtuar që në vitin 2015. Megjithatë, pas më shumë se një dekade, ende nuk ka një vendndodhje të përcaktuar dhe as financime të siguruara.
“Është një premtim i vitit 2015 dhe ende bashkia nuk e ka të qartë vendodhjen. Është folur për vendodhje të ndryshme, por nuk ka plan të qartë e aq më pak financim”, shton gazetarja.
Ndërsa premtimet për gazifikimin e Korçës dhe ndërtimin e një piste të re skish janë përsëritur ndër vite, në terren mungojnë jo vetëm punimet, por edhe projektet dhe financimet konkrete. Për qytetarët, këto mbeten ende projekte në letër, ndërsa ngrohja me dru vijon të jetë alternativa kryesore për dimrat e ftohtë. Në mungesë të hapave konkretë, mbetet e paqartë se kur këto projekte do të bëhen realitet.




