Besimtarët ortodoksë kremtuan sot festën e “Fjetjes së Hyjlindëses Mari”, një prej ditëve më të rëndësishme të kalendarit fetar ortodoks.
Në Manastirin e Fjetjes së Hyjlindëses Mari në Boboshticë, Liturgjia e Shenjtë u drejtua nga Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Imzot Anastasi.
Qindra besimtarë u mblodhën në Boboshticë për të marrë pjesë në shërbesën fetare. Mes tyre ishin edhe emigrantë të rikthyer në vendlindje për pushimet e verës. Për shumë prej tyre, kremtimi i 15 Gushtit pranë familjes dhe komunitetit është një traditë e ruajtur ndër breza.
Festa e “Fjetjes së Hyjlindëses Mari” u kremtua edhe në fshatin Vodicë të Bashkisë Kolonjë, ku qindra besimtarë morën pjesë në ceremoninë fetare në kishën historike të fshatit.
Edhe në Vodicë, një pjesë e rëndësishme e ishin emigrantët, të cilët rikthehen çdo verë në vendlindje për të kremtuar këtë ditë së bashku me familjarët dhe komunitetin.
Shërbesa fetare për festën e Shën Marisë u zhvilluan edhe në kisha të tjera të juglindjes së vendit, duke mbledhur besimtarë vendas dhe emigrantë të rikthyer për festat e verës.


