Ekspertët e sigurimeve: Tokat duhet të sigurohen nga qeveria
Brenda një periudhe shumë të shkurtër, fermerët e juglindjes së vendit janë përballur me dy përmbytje të njëpasnjëshme, të cilat kanë shkatërruar të mbjellat dhe kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme ekonomike.
Julian Guri nga Maliqi tregon se përmbytjet i kanë sjellë humbje që kapin vlerën e rreth 250 milionë lekëve, duke e vënë në prag falimenti në mungesë të dëmshpërblimeve.
Julian Guri, fermer:
“Rreth 250 milionë lekë dëme nga përmbytjet. Tokat janë ende nën ujë, gjendje katastrofike. 20 hektarë patate dhe 20 hektarë grurë kanë humbur. I mbollëm për herë të dytë dhe u përmbytën sërish. Faliment direkt. Nuk kemi asnjë lek, jemi në borxhe. Do të kërkojmë dëmshpërblime.”
Në të njëjtën situatë ndodhet edhe Erjon Shaqollari nga Vreshtasi i Maliqit, i cili ka humbur pothuajse të gjithë prodhimin.
Erjon Shaqollari, fermer:
“Kam mbjellë 117 dylymë grurë dhe vetëm 4 dylymë shpëtuan. Dy vite të humbura. Dëmi është rreth 17 milionë lekë. Faliment total. Nuk ia vlen më.”
Nga ana tjetër, ekspertët e fushës së sigurimeve shohin si zgjidhje një ndërhyrje shtetërore për sigurimin e tokave bujqësore. Artur Balli, ekspert sigurimesh, thekson se bashkëpunimi mes qeverisë dhe kompanive të sigurimit do të ishte më efikas sesa subvencionet aktuale.
Artur Balli, ekspert sigurimesh:
“Tokat janë të copëzuara në sipërfaqe të vogla, çka e vështirëson vlerësimin e riskut dhe rrit çmimin e primit. Prej kohësh është kërkuar që subvencioni të mos jetë në formë lekësh apo nafte, por në primin e sigurimit. Nëse shteti mbulon primin, fermerët do të jenë të siguruar dhe humbjet gjatë vitit do të mbulohen plotësisht.”
Ndërkohë, fermerët e zonës së Maliqit paralajmërojnë protesta në ditët në vijim, duke kërkuar dëmshpërblime për dy përmbytjet e ndodhura brenda një kohe shumë të shkurtër.




