Komisioni Parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale zhvilloi një vizitë pune në Pogradec, ku një nga temat kryesore të diskutimit ishte siguria e nxënësve në shkolla.
Deputetja Evis Kushi, së bashku me deputetë të tjerë dhe përfaqësues të institucioneve, zhvilloi një bashkëbisedim me drejtuesit, mësuesit dhe nxënësit e gjimnazit të Pogradecit, ku u diskutuan shqetësimet dhe problematikat që lidhen me sigurinë në mjediset shkollore.
Kushi tha se, përveç sigurisë fizike, një shqetësim i ngritur gjatë takimit ishte edhe siguria online, veçanërisht rreziqet që mund t’u vijnë nxënësve nga rrjetet sociale.
“Shqetësim i jashtëzakonshëm i mësuesve, por edhe i prindërve, është rreziku që u vjen nxënësve, veçanërisht nga rrjetet sociale apo në përgjithësi nga rrjetet online”, u shpreh Kushi.
Sipas saj, problematikat që ndodhin në internet janë më të vështira për t’u identifikuar dhe parandaluar nga shkolla, duke e cilësuar këtë një sfidë që kërkon bashkëpunim mes institucioneve, shkollave, prindërve dhe komunitetit.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për bashkëpunimin e shkollave me Policinë, Bashkinë dhe institucionet e tjera, ndërsa Kushi vlerësoi punën e stafit dhe nxënësve në gjimnazin e Pogradecit.
Një tjetër temë ishte programi “After School”, i cili u mundëson nxënësve të qëndrojnë në mjediset e shkollës edhe pas përfundimit të orarit mësimor, duke zhvilluar aktivitete artistike, sportive, artizanale dhe të tjera jashtëshkollore.
Kushi tha se programi është pritur pozitivisht nga prindërit dhe stafet arsimore, ndërsa synimi është që gradualisht të shtrihet në të gjitha shkollat.


