Është dënuar me 7.4 vite burgim ish-zv/drejtori i Kufirit në qarkun e Korçës, Stiljan Pasho, ndaj të cilit Prokuroria e Korçës, në fillim të vitit 2025, ngriti akuzën e “Trafikimit të lëndëve narkotike”, kryer në dy episode në formën e bashkëpunimit me 4 persona të tjerë.
Ndërkohë, bashkëpunëtori i Pashos në Shqipëri, Elton Grabocka, fillimisht u dënua me 13 vite burgim për akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim. Por, për shkak të gjykimit të shkurtuar, Grabocka, në përfundim, u dënua me 8 vite e 8 muaj burgim.
Kurse dy bashkëpunëtorët e tjerë, Lorenco Lika dhe Ervin Ibi, janë arrestuar në Greqi, duke u hetuar dhe dënuar nga Gjykata e Apelit të Maqedonisë Perëndimore në Greqi.
Mësohet se gjatë periudhës kur ka ndodhur trafikimi i lëndëve narkotike, më 27 nëntor 2023 dhe 6 maj 2024, Stiljan Pasho mbante postin e zv/drejtorit të Kufirit në qarkun e Korçës.
Duke shfrytëzuar detyrën e tij, ai shkonte fizikisht vetë në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës dhe, me urdhrat e jashtëligjshëm që u jepte eprorëve të tij në këtë pikë kontrolli doganor, kishte kthyer këtë portë kufitare me Greqinë në një autostradë për trafikantët e drogës.
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga gazetari Elton Qyno, zyrtari i Policisë së Shtetit, Stiljan Basho, në këtë veprimtari kriminale ka bashkëpunuar me 3 trafikantë nga Korça, si Elton Goskova, Lorenco Lika dhe Ervin Ibi.
Mësohet se, në episodin e parë, Stiljan Pasho bashkëpunoi me Lorenco Likën dhe Ervin Ibin, ku, pas kalimit nga dogana e Kapshticës të një mjeti tip “Passat”, në të cilin ishin futur 26 kg hashash, Lika dhe Ibi u arrestuan më pas në pikën kufitare të “Kristalopigy” në Greqi.
Ndërkohë, në episodin e dytë është arrestuar Elton Grabocka së bashku me zv/shefin e Kufirit në Korçë, Stiljan Pasho, duke u akuzuar për trafikimin e lëndëve narkotike.
Në të dyja rastet e trafikimit të drogës, zyrtari i policisë, Stiljan Pasho, ka qenë vetë i pranishëm në ambientet e pikës kufitare të Kapshticës.
Sipas dosjes hetimore, gjatë qëndrimit të tij, ai ka urdhëruar vartësit e tij të ushtrojnë kontrolle të imtësishme te disa makina të tjera, duke shmangur pikërisht kontrollet mbi dy automjetet, brenda të cilave kishte prezencë droge.
Zv/drejtori i ka urdhëruar vartësit e tij që të kryenin kontroll të detajuar, duke u shprehur: “…Shikojeni mirë këtë djalin dhe kontrollojeni mirë këtë makinë…”.
Në këtë moment, ata kanë ndaluar mjetin tip “Mercedes-Benz”, me ngjyrë gri, lloji “CLK”, dhe kanë ushtruar kontroll të detajuar në pjesë të ndryshme të mjetit dhe, në përfundim të kontrollit, e kanë kaluar në skaner.
Gjatë kohës që policët kanë qenë duke përpiluar dokumentacionin për skaner për mjetin “Mercedes-Benz”, në kabinën e regjistrimit në dalje ka qenë një mjet tip “Passat”, ngjyrë gri, Volkswagen, targa e të cilit nuk i kujtohet, dhe, në momentin që ishte duke marrë dokumentet e skanerit te kabina e vijës së dytë, Stiljan Pasho është afruar te makina “Passat”, te kabina e kontrollorit.
Pasi drejtuesi ka bërë regjistrimin, ka lëvizur në drejtim të daljes së RSH-së dhe, në momentin që ka nisur lëvizjen, shef Stiljan Pasho i ka bërë me dorë për të vazhduar.
Pasi mjeti u largua, shef Stiljani u ka thënë vartësve të tij se personat ishin të njohur të tij dhe se do të shkonin në Greqi për të paguar një gjobë


