Bashkia Pogradec reagon ndaj akuzave për mungesë të lëndës drusore në shkolla: Ngrohja është përgjegjësi e institucioneve, jo e prindërve
Bashkia Pogradec ka reaguar ndaj akuzave për mungesë të lëndës drusore në institucionet arsimore, duke theksuar se garantimi i ngrohjes në shkolla, kopshte dhe çerdhe është përgjegjësi e institucioneve dhe jo e familjeve.
Në reagimin e saj, Bashkia thekson se koha kur prindërit duhej të merrnin dru nga shtëpia për të ngrohur klasat e fëmijëve është tashmë e harruar. Sipas të dhënave të bëra publike, në total janë 65 objekte arsimore të pajisura me sisteme ngrohjeje, nga të cilat 11 funksionojnë me kaldaja me naftë ose gaz, ndërsa 54 me soba me dru.
Bashkia bën me dije gjithashtu se, me vendim të Këshillit Bashkiak, sezoni i ngrohjes ka nisur më 1 nëntor, në vend të datës 15 nëntor, duke mundësuar kështu një periudhë më të gjatë ngrohjeje për institucionet arsimore.
Në reagim thuhet se sektorët përgjegjës dhe punonjësit e bashkisë janë të angazhuar për të garantuar ngrohjen sipas nevojave të çdo institucioni, ndërsa theksohet se investimet në këtë drejtim do të vijojnë edhe në të ardhmen.
Bashkia Pogradec shprehet se synimi është krijimi i ambienteve të ngrohta dhe të sigurta për nxënësit, fëmijët e kopshteve dhe çerdheve, si dhe për stafin pedagogjik.


