Bashkia e Maliqit ka zhvilluar një ceremoni të veçantë, ku janë nderuar me tituj prestigjiozë tre figura të njohura për kontributin e tyre në fusha të rëndësishme të jetës shoqërore.
Me titullin “Krenaria e Bashkisë Maliq” janë vlerësuar Gjergji Merlika dhe Ali Refatllari, për kontributin e tyre të vyer në arsim dhe mjekësi, duke lënë gjurmë të rëndësishme në komunitet dhe më gjerë. Ndërkohë, ikona e futbollit shqiptar Sulejman Demollari është nderuar me titullin “Qytetar Nderi i Bashkisë Maliq”, si vlerësim për karrierën e tij të suksesshme dhe ndikimin në sportin shqiptar.
Mjeku kardio-kirurg Ali Refatllari u shpreh i emocionuar për këtë vlerësim, duke theksuar lidhjen e tij të fortë me zonën:
“Ndjehem shumë i emocionuar për këtë vlerësim të madh. Rrënjët e mia janë nga kjo zonë, im atë ka lindur në Symiz dhe gjithmonë e kam ndjerë këtë lidhje. Ndihem plotësisht bashkëfshatar i këtij rajoni. Kam një jetë të gjatë si kardiokirurg, me mbi 5000 pacientë që më kanë besuar, jo vetëm për aftësitë profesionale, por edhe për emrin që mbaj.”
Nga ana e tij, ish-futbollisti Sulejman Demollari e cilësoi këtë titull si një nder të veçantë:
“Është një titull që më jep shumë kënaqësi dhe jam mirënjohës. Fëmijëria ime në këtë zonë ka qenë shumë e bukur. Këtu hodha hapat e parë në futboll dhe një pjesë e shpirtit tim ka mbetur këtu. Më kujtohet kur isha fëmijë dhe ruaja me krenari dialektin.”
Ndërsa Gjergji Merlika, i njohur për kontributin e tij në arsim, është vlerësuar për rolin e rëndësishëm në edukimin e brezave ndër vite.
Këto vlerësime vijnë si një shenjë mirënjohjeje për përkushtimin dhe arritjet e tyre, duke i kthyer këto figura në modele frymëzimi për brezat e rinj dhe gjithë komunitetin.


