Nëse vizitoni galerinë e piktorit Artan Kaja, do të gjeni një botë plot ngjyra, emocione dhe thellësi. Piktura me natyrë, portrete njerëzish të thjeshtë dhe kompozime abstrakte janë vetëm një pjesë e asaj që ofron ky artist i njohur, jo vetëm në qytetin liqenor të Pogradecit, por edhe në skenën e gjerë artistike shqiptare.
Artani rrëfen se ëndrra e tij e parë ishte aktrimi, pasion të cilin e ndoqi që në moshën katërvjeçare deri në përfundim të gjimnazit. Megjithatë, rruga e tij ndryshoi drejt pikturës, ku gjeti një tjetër formë shprehjeje dhe frymëzimi.
“Ëndrra ime ka qenë aktrimi. Që 4 vjeç jam marrë me aktrim, por nuk munda të hyja në Akademinë e Arteve, ashtu ishte sistemi atëherë. Më pas fitova degën e pikturës dhe dola me rezultate maksimale. Pas një pauze gjashtëvjeçare, jam rikthyer në pikturë,” tregon Kaja.
Fokusin kryesor në veprat e tij e kanë pasur gjithmonë njerëzit, por kohët e fundit natyra është bërë një tjetër burim frymëzimi për të.
“Piktori duhet të jetë i gjithanshëm. Më pëlqejnë figurat humane, por mungesa e modeleve është pengesë. Prandaj kam filluar të merrem edhe me peizazhin, të cilin nuk e preferoja më parë, por tani më jep kënaqësi të madhe,” shton ai.
Megjithëse ka ndërtuar një emër në botën e artit, Kaja shpreh zhgënjimin e tij për mungesën e mbështetjes ndaj artistëve në Shqipëri. Ai thekson se institucionet nuk investojnë në art dhe se çdo gjë mbetet në kurriz të vetë artistëve.
“Në art nuk investohet. Artistët i blejnë vetë të gjitha, nga tubeti më i vogël te peneli. Ekspozitat shpesh janë të ndara e të politizuara. Artisti mund të angazhohet në politikë, por jo për interes personal. Artistët kanë bërë revolucion në gjithë botën,” përfundon Kaja.
Artan Kaja mbetet një shembull i përkushtimit ndaj artit, duke sfiduar vështirësitë dhe duke vazhduar të krijojë me pasion dhe ndershmëri.