Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq arrestuan shtetasin J. D., 40 vjeç, banues në fshatin Kakaç, pasi dyshohet se ka përndjekur një 22-vjeçar. Ditën e djeshme, gjatë tentativës për të goditur me mjet prerës, 22-vjeçarin, shtetasi J. D. ka dëmtuar lehtë, në dorë, shtetasin M. B., me të cilin shoqërohej 22-vjeçari, në atë moment.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin K. J., 38 vjeç, banues në Korçë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë:
-referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit E. Ç., 38 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje;
-referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit E. Sh., 40 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se bashkë me 2 shtetas të tjerë, ende të paidentifikuar, kanë dhunuar banesën e një shtetaseje, të cilën gjithashtu e kanë kanosur dhe fyer. Punohet për identifikimin dhe kapjen e 2 shtetasve, si dhe për sqarimin e rrethanave të këtij rasti;
-shpallën në kërkim shtetasen V. K., 43 vjeçe, banuese në Vlorë, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. A., 29 vjeç, banues në fshatin Vashtmi, pasi nga hetimet e deritanishme dyshohet se ata kanë kanosur shtetasin E. L., nëpërmjet mesazheve telefonike, për dhënie pasurie. Këto mesazhe dyshohet se kanë rënduar gjendjen psikologjike të shtetasit E. L., i cili më datë 28.06.2025, tentoi të vetëvritej, duke konsumuar një substancë kimike (Klor). Për këtë rast Policia e Korçës ka dhënë njoftim për median, më datë 29.06.2025. Më tej, gjatë kontrollit në banesën e 29-vjeçarit, u gjet 1 armë sportive të cilën e mbante pa leje, si dhe një shumë eurosh të dyshuara false. Punohet për kapjen e 43-vjeçares, si dhe në drejtimin e Prokurorisë, punohet për dokumentimin me prova ligjore të rrethanave të rastit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin G. B., 47 vjeç, banues në Stropckë, pasi dyshohet se për motive pronësie, ka dhunuar kushërirën e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin A. C., 31 vjeç, banues në Devoll, për vepërn penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.