Vetëm pak kilometra larg Korçës, Drenova vijon të mbetet një nga fshatrat më të njohur turistikë të zonës. Por pas bukurisë, traditës dhe potencialit turistik fshihet një realitet krejt tjetër: largimi i banorëve dhe boshatisja ndër vite.
Dikur në Drenovë banonin rreth 3 mijë banorë, ndërsa sot numri i tyre nuk i kalon 200. I njëjti ndryshim i madh vihet re edhe në shkollën e fshatit. Nga mbi 300 nxënës që dikur ndiqnin mësimet, sot kanë mbetur më pak se 10.
Shumica e banorëve janë larguar në emigracion, kryesisht drejt Greqisë, ndërsa të tjerë kanë zgjedhur vende të ndryshme të Europës.
Vangjel Nasi, kryeplaku i Drenovës, tregon se dikur fshati ishte i populluar dhe plot jetë, ndërsa sot në të kanë mbetur kryesisht të moshuarit. Ai thotë se rikthimi i Drenovës në gjallërinë e dikurshme është gjithnjë e më i vështirë.
Gjergji Mingo është një nga banorët e Drenovës që prej 33 vitesh jeton në emigracion. Ai shprehet se kushtet ekonomike i detyruan shumë familje të largoheshin nga fshati. Edhe pse emigrantët rikthehen herë pas here, problem mbetet furnizimi me ujë të pijshëm.
Për Aleksandra Mihallarin, Drenova mbetet vendi ku gjithmonë dëshiron të rikthehet. Ajo jeton në emigracion së bashku me prindërit, por rikthehet shpesh në fshat, pasi, siç thotë, e merr malli për të afërmit dhe vendlindjen.
Tradita dhe kultura e Drenovës vijojnë të ruhen edhe përmes këngës. Lefter Pulici dhe Spiro Gramozi janë dy prej këngëtarëve të njohur të fshatit, të cilët përmes muzikës mbajnë gjallë këngët dhe traditat e trashëguara ndër breza.
Gjatë këtyre viteve nuk kanë munguar investimet në Drenovë. Rrugët kryesore janë asfaltuar, ndërsa një pjesë e rrugicave janë shtruar me kalldrëm. Edhe shumë prej banorëve që janë larguar kanë vijuar të investojnë në shtëpitë e tyre, duke i rikonstruktuar ose ndërtuar nga e para.
Por, pavarësisht investimeve dhe kushteve më të mira të banimit, problemi kryesor mbetet boshatisja e fshatit.
Drenova ka ende shtëpi të bukura, traditë, kulturë dhe potencial turistik, por i mungojnë banorët që dikur i jepnin jetë.
Nga një fshat me rreth 3 mijë banorë dhe qindra nxënës në shkollë, Drenova sot përballet me një realitet ku zërat e fëmijëve janë thuajse zhdukur. Rrugët e fshatit mbushen më shumë gjatë verës, kur emigrantët rikthehen për pak ditë pranë vendlindjes.
Një fshat që dikur gumëzhinte nga jeta, sot mbetet në pritje të rikthimit të banorëve të tij.


